Këshilli Ekonomik Kombëtar ka zhvilluar mbledhjen e dytë për këtë vit, ku të pranishëm ishin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, si dhe përfaqësues të sektorit të biznesit dhe komunitetit.
Mbledhja u fokusua në dy çështjet kyçe për zhvillimin ekonomik të vendit: aksesi në financa, si dhe tek aftësimi e punësimi. Diskutimet u përqendruan tek identifikimi i sfidave dhe zgjidhjeve inovative që duhet të merren në drejtim të përmirësimit të këtyre dy treguesve.
“Në zhvillimin e dialogut ndërmjet Këshillit Ekonomik Kombëtar, komisioneve të posaçme që janë ngritur, si dhe biznesit, ne kemi krijuar katër komisione të posaçme për aftësimin dhe punësimin, turizmin, bujqësinë, si dhe politikat fiskale”, bëri me dije ministrja Ibrahimaj.
Në vijim, Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes sektorit publik dhe privat për të arritur qëllimet e përbashkëta të zhvillimit ekonomik në Shqipëri.
“Përmirësimi i aksesit në financë është një ushtrim i gjerë që ka të bëjë më një proces të lajmëruar të pilotimit të pagesave pa cash, që shkon paralelisht me gjithë stimulimin që ne po bejmë për Shqipërinë dixhitale dhe që padiskutim do të na krijojë hapësira të reja për të ulur informalitetin dhe për të rritur të ardhurat, për të ngushtuar hapësirat ekzistuese të abuzimeve. Në lidhje me temën e dytë, jemi të vetëdijshëm që nevoja për krahë pune po bëhet alarmante, dhe s’është vetëm nevojë e jona, por edhe e shteteve të tjera. Kjo ka sjellë nevojën për thithje të forcës së punës nga jashtë vendit dhe Shqipëria është preja më e lehtë e kësaj qasje agresive të vendeve të zhvilluara, që janë në mës të Evropës, pasi shqiptarët janë shumë lehtë të adaptueshëm. Sfida jonë që nga njëra anë është t’i përgjigjemi kërkesës së lartë të sipërmarrjes për punonjës të kualifikuar, mjafton të shohim proporcionet e kërkesës në fushën e turizmit. Problemi kryesor i sipërmarrjes në fushën e turizmit janë forcat dhe cilësia e krahut të punës”, vuri në dukje kryeministri Rama.
Sipas tij, për të zgjidhur këto sfida, është shumë e rëndësishme që të kihet qartësi dhe sa më shumë kontribut nga të gjithë faktorët e tjerë ekonomikë, social dhe akademik në mënyrën se si duhet të formësohet një politikë e re për aftësimin dhe riaftësimin profesional, jo vetëm në nivel të shkollës, por dhe për moshat që nuk janë më mosha shkolle.
Gjatë mbledhjes, kryeministri u ndal edhe në diskutimet për projektligjin e ri për Dhomën Ekonomike Kombëtare.
“ Nuk ka më kohë për të pritur, duhet të ecim me projektligjin, duhet të riorganizojmë sistemin e dhomave, duhet të kemi një Dhomë Kombëtare. Në këte pikë, duhet të themi se kemi një shkallë njohjeje të thellë sepse prej vitesh jemi marrë me këtë punë, kemi parë shembuj, dhe besoj se drafti i parimeve për mënyrën se si do të organizohet sipërmarrja dhe Dhoma Ekonomike Kombëtare është një draft parimesh solid, që merr në konsideratë ekperiencën e vendeve të tjera, domosdoshmërinë për të lëvizur me shpejtësi në këtë aspekt. Pa i hequr askujt të drejtën të bëjë çfarëdo organizimi të dojë në punën e tij, ne duhet të imponojmë detyrimin e regjistrimin në Dhomën Ekonomike Kombëtare, si të gjithë vendet demokratike. Nuk kemi pse të jemi vrima e fundit e kavallit në rajonin tonë, kur ndërkohë nevojat e sipërmarrjes janë të ndryshme nga ato që ishin”, u shpreh Rama.
@zërionline
*Ripublikimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse bëhet citimi i autorit, burimit origjinal.
KEK: Aftësimi dhe punësimi, çështje kyçe për zhvillimin
Date:
Share post:


