Për të gjithë ata që jetojnë në Romë, apo ata që planifikojnë ta vizitojnë së shpejti, një destinacion i ri gastronomik po kthehet shpejt në pikë referimi: restoranti “Nobu”, i hapur tashmë edhe në kryeqytetin italian.
Restoranti i famshëm japonez Nobu, pjesë e zinxhirit luksoz të themeluar nga aktori Robert De Niro, shefi i njohur Nobu Matsuhisa dhe sipërmarrësi Meir Teper, ka hapur zyrtarisht dyert në Romë. I pozicionuar në zemër të qytetit, në Via Veneto 155, restoranti ndodhet brenda një ndërtese madhështore të shekullit XIX, e rikonstruktuar plotësisht dhe e transformuar në një hapësirë moderne, elegante dhe tërheqëse.

Ky është restoranti i parë i markës Nobu në Itali dhe ka ruajtur identitetin karakteristik të rrjetit: ambiente të sofistikuara dhe një kuzhinë që bashkon me finesë gastronominë japoneze me atë peruane.
Restoranti ka mbërritur në Romë në fillim të nëntorit dhe ofron disa nga pjatat ikonike të Nobu Matsuhisa: merluci i zi me miso, gamberi në tempura, sashimi i ricciolës, si dhe specialitete të tjera që sjellin balancën mes traditës japoneze dhe influencave peruane. Për të nderuar qytetin mikpritës, shefat kanë shtuar edhe disa krijime me shije lokale.
Atmosfera është minimaliste, me banak sushi të ndërtuar me linja të pastra, detaje druri dhe karrige lëkure në ngjyrë bordo, duke krijuar një ambient të rafinuar dhe bashkëkohor. Restoranti ofron edhe një Rooftop Bar me pamje mbi skyline-in e Romës, ideal për aperitivë me kokteje ekskluzive dhe ushqime të lehta.
Sa kushton të hash në Nobu?
Çmimet ndryshojnë sipas përzgjedhjes së pjatave:
* Sallatë me “Matsuhisa Dressing” – nga 10 euro
* Anticucho Peruvian Style Rib Eye Steak – 65 euro
* Wagyu japonez – 75 euro
* Menu degustimi – nga 120 euro
Restoranti është i hapur çdo ditë, që nga mëngjesi deri në mbrëmje. Ajo që e bën përvojën të veçantë, përtej kuzhinës dhe dizajnit, është shërbimi i kujdesshëm dhe intuitiv, i udhëhequr nga parimi japonez Omotenashi, arti i mikpritjes së sinqertë.
Nëse jeni në Romë, Nobu mund të jetë padyshim një adresë që ia vlen të provohet.


