Shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit kanë intensifikuar kontrollet me fokus parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi. Si rezultat i verifikimeve të imtësishme ndaj shtetasve dhe mjeteve që hyjnë e dalin nga territori shqiptar, janë zbuluar dy raste të tentativës për kontrabandë mallrash.


Policia arrestoi në hyrje të vendit 48-vjeçarin A. Gj., banues në Durrës, pasi në kamionin që ai drejtonte u gjetën të fshehura 240 shishe me verë, të dyshuara për kontrabandë.
Ndërkohë, në dalje të Shqipërisë, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi Y. S., nga Lushnja, pasi në furgonin e tij u konstatuan të fshehur 15 aparate celularë dhe një sasi e konsiderueshme produktesh ushqimore, të gjitha pa fatura blerjeje.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjetet me të cilat dy shtetasit tentuan të transportonin mallrat, si edhe pijet alkoolike, celularët dhe produktet ushqimore të gjetura gjatë kontrolleve.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme hetimore.


