Reshjet në Durrës, Bashkia: Dhjetëra banesa dhe biznese të përmbytura

Date:

Share post:

Reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë Durrësin gjatë ditës së sotme kanë shkaktuar probleme në disa zona të territorit, duke përmbytur dhjetëra banesa, biznese dhe sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore. Kryetarja e Bashkisë, Emiriana Sako, bëri të ditur se të gjitha strukturat vendore janë në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për të menaxhuar situatën dhe për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve.

Sako informoi se ekipet e emergjencës, zjarrfikësit, policia bashkiake, ndërmarrjet publike dhe mjetet e rënda të bashkisë janë angazhuar maksimalisht për pastrimin e kanaleve, hapjen e rrugëve të bllokuara dhe largimin e ujit nga banesat e prekura.

Sukth, Manëz dhe Ishëm, zonat më të goditura

Në njësinë administrative Sukth, përmbytjet kanë prekur disa fshatra.

  • Në Kullë janë raportuar 6 banesa dhe 1 biznes me prezencë uji.
  • Në Hamallaj janë evidentuar 7 banesa të prekura.
  • Rrushkulli numëron 12 banesa të përmbytura.
    Përkohësisht u bllokua edhe rruga te kthesa e Perlatit, por pas ndërhyrjes së ekipeve në terren ajo u hap. Ndërkohë, rreth 70 hektarë tokë bujqësore janë nën ujë.

Në njësinë administrative Manëz, situata paraqitet gjithashtu problematike, me 48 banesa dhe 15 biznese të përmbytura, ndërsa 100 hektarë tokë bujqësore raportohet të jenë përmbytur. Të gjitha rrugët janë aktualisht të kalueshme.

Në Ishëm, në fshatin Shkafane janë prekur 3 banesa dhe 2 biznese, ndërsa në Rrotullë një banesë dhe një biznes raportohet me prezencë uji. Rreth 50 hektarë tokë bujqësore është nën ujë, ndërsa po punohet për zhbllokimin e dy akseve rrugore ku ka pasur rrëshqitje dherash.

Ekipet në terren, monitorim i vazhdueshëm i lumenjve dhe digave

Bashkia e Durrësit bën të ditur se aktualisht po punohet në të gjitha zonat ku ka probleme, kryesisht për largimin e ujit nga banesat dhe normalizimin e qarkullimit. Specialistët po kontrollojnë pa ndërprerje kanalet kulluese, funksionimin e hidrovorëve, argjinaturat e lumenjve Erzen dhe Ishëm, si dhe digat e ujëmbledhësve. Vëmendje e veçantë po i kushtohet shkarkuesve, ndërsa të gjitha kapacitetet logjistike të forcave operacionale janë në gatishmëri.

Thirrje qytetarëve për të raportuar urgjencat

Bashkia u bën apel banorëve që të raportojnë çdo problematikë në numrat e emergjencës të vënë në dispozicion nga njësitë administrative, Policia Bashkiake, shërbimet e ujësjellës-kanalizimeve, shërbimet komunale, agjencia e parqeve, si dhe numrat e urgjencave 129, 112 dhe 128.

Autoritetet vendore theksojnë se situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm dhe se ekipet do të vijojnë të qëndrojnë në terren deri në normalizimin e plotë të gjendjes.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Nga Shqipëria në Kosovë, zbulohet rrjeti i mashtrimit me call center-a, 7 në pranga

SPAK dhe Policia e Shtetit kanë qenë pjesë e operacionit ndërkombëtar kundër rrjetit kriminal, i cili dyshohet se...

Gurë me shkëlqim metalik dhe kristale në çanta, Dogana e Durrësit i bllokon në tragetin drejt Italisë

Kontrollet në Portin e Durrësit kanë çuar në zbulimin e një ngarkese me gurë mineralë dhe kristale të...

Ndërron jetë në spital avokati Saimir Vishaj

Ka ndërruar jetë në moshën 60-vjeçare avokati i njohur Saimir Vishaj. Avokati ka ndërruar jetë në ambientet e spitalit...

Aksident në aksin Pogradec-Lin, përplasen dy makina! 6 persona të plagosur

Një aksident me 6 të plagosur ka ndodhur pak më parë në aksin rrugor Pogradec-Lin, pranë fshatit Piskupat. Sipas...