Katër persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se kanë futur në treg kartëmonedha euro të falsifikuara.
Në pranga kanë rënë Alesio Brungaj dhe Enis Aliaj, 19 vjeç, Serxhio Lala, 26 vjeç, si edhe një 17-vjeçar.
Sipas policisë, Brungaj, i cili jetonte në Shkodër, dyshohet se kishte porositur 18 mijë euro të falsifikuara, në prerje të ndryshme. Kartëmonedhat false do të hidheshin në qarkullim në Shkodër dhe në Mal të Zi.
Njoftimi i policisë:
Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Wrong Delivery”, me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale të falsifikimit të kartëmonedhave.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. B, 19 vjeç, banues në Shkodër; një i mitur 17 vjeç, banues në Tiranë; S. L, 26 vjeç, banues në Tiranë dhe E. A, 19 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi A. P, 19 vjeç, banues në Krujë.
Shtetasit S. L., E. A. dhe i mituri u kapën në flagrancë në momentin që po tentonin të tërhiqnin në një postë në Tiranë, 11 pakot që përmbanin kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara. Këto dërgesa kryheshin nga shtetasi A. B., i cili përdorte një emër tregtar të rremë për të maskuar veprimtarinë dhe për të shpërndarë kartëmonedhat e falsifikuara.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, A. P., si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.


