Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, qendra e qytetit të Durrësit u kthye sot në një hapësirë simbolike solidariteti dhe angazhimi qytetar. Gra dhe vajza, kryesisht nga zonat periferike, por edhe dhjetëra qytetarë durrsakë, u bënë bashkë për të përcjellë mesazhe të forta kundër dhunës me bazë gjinore dhe për të kërkuar më shumë siguri në komunitet. Në kuadër të aktivitetit nisi dhe nënshkrimi i një peticion publik për dorëzimin vullnetar të armëve të zjarrit, një hap i parë drejt një procesi të shumëpritur të amnistisë kombëtare për armët.


Aktiviteti u organizua nga Shoqata “Gender, Paqe e Siguri”, një organizatë që prej 25 vitesh qëndron në krah të grave dhe vajzave të prekura nga dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore. “Gjatë këtyre dekadave, qindra gra janë mbështetur, këshilluar dhe fuqizuar në Durrës dhe më gjerë, ndërsa shoqata ka qenë ndër nismëtaret kryesore në hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Rezolutën 1325, të miratuar në vitin 2018.”, u shpreh drejtorja ekzekutive e SHGPS-së Bajana Çeveli.
Durrësi, qarku me numrin më të lartë të kërkesave për mbrojtje
Sipas shoqatës, të dhënat zyrtare të periudhës janar–shtator 2025 flasin qartë: vetëm në Komisariatin e Policisë së Durrësit janë plotësuar 351 kërkesa për Urdhra të Menjëhershëm Mbrojtjeje, prej të cilave 161 janë referuar njëkohësisht si vepra penale të dhunës në familje. Durrësi kryeson ranglistën kombëtare, duke dëshmuar se dhuna në familje nuk është përjashtim, por realitet i përditshëm për shumë gra. Po ashtu, qyteti mbetet një ndër zonat me numrin më të lartë të kërkesave për zgjidhje martese, një tregues tjetër i presionit emocional dhe social që përjetojnë gratë.

Femicide dhe armët e zjarrit, urgjencë kombëtare
Pavarësisht përpjekjeve institucionale, Shqipëria vazhdon të tronditet nga rastet e femicideve, shumica e të cilave kryhen me armë të paregjistruara. Në prag të fushatës ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore” (25 Nëntor-10 Dhjetor), Shoqata “Gender, Paqe e Siguri” e cilëson çështjen e armëmbajtjes paleje një urgjencë kombëtare.
Pikërisht për këtë arsye, gjatë fushatës është lançuar nisma për një peticion publik, me synimin për të krijuar kushtet drejt një amnistie kombëtare për dorëzimin vullnetar të armëve të zjarrit. Qëllimi është i qartë, të reduktohet rreziku, të parandalohen tragjedi dhe të shpëtohen jetë.
Dhuna digjitale, kërcënimi i shekullit 21
Në përputhje me temën globale të këtij viti, “T’i japim fund dhunës digjitale ndaj grave dhe vajzave”, Shoqata theksoi se hapësira online po shndërrohet me shpejtësi në një terren të rrezikshëm. Ngacmimet, publikimet pa pëlqim, manipulimet, shantazhi dhe gjuha e urrejtjes po bëhen gjithnjë e më të zakonshme, veçanërisht ndaj grave që janë të ekspozuara publikisht.
“Dhuna që nis online rrallë mbaron online”, u theksua në aktivitet. Ajo shpesh kthehet në frikë, izolim dhe madje në dhunë fizike. Në nivel global, 44% e grave nuk mbrohen nga legjislacioni kundër dhunës digjitale, një boshllëk që reflektohet edhe në Shqipëri, ku nevoja për ndërgjegjësim dhe forcim ligjor është më urgjente se kurrë.
Një thirrje për veprim të përbashkët
Shoqata “Gender, Paqe e Siguri” deklaroi se do të vazhdojë të punojë për një shoqëri ku gratë dhe vajzat jetojnë të sigurta, të respektuara dhe të fuqizuara. “Nuk ka barazi gjinore pa siguri, dhe nuk ka siguri pa institucione funksionale dhe komunitet të ndërgjegjësuar”, u nënvizua gjatë aktivitetit.
Në mbyllje, organizatorët iu drejtuan medias dhe opinionit publik me një thirrje të hapur: t’i bashkohen nismës, të ngrenë zërin dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një realiteti ku çdo grua dhe vajzë jeton pa dhunë.
“Shqipëria e sigurt nis nga shtëpia, nga komuniteti dhe nga angazhimi ynë i përbashkët.”

©️zërionline


