Gjendja e 15-vjeçarit të plagosur rëndë me thikë mbetet kritike, ndërsa mjekët e Spitalit Rajonal të Durrësit po monitorojnë çdo zhvillim orë pas ore. Kirurgu Fitim Shini, i cili ishte pjesë dhe drejtoi ekipin që realizoi ndërhyrjen e vështirë kirurgjikale, dha detaje mbi situatën aktuale të të miturit.
“Për momentin pacienti ndodhet në reanimacion, i intubuar, dhe gjendja vazhdon të jetë e rëndë. Shpresojmë që në 24 deri në 48 orët e ardhshme gjendja të stabilizohet dhe të mund të dalë nga reanimacioni”, u shpreh Shini.
Sipas tij, adoleshenti mbërriti në urgjencë me katër plagë në rajonin e gjoksit, ku njëra prej tyre depërtonte në zemër, duke shkaktuar gjendje tejet të rënduar dhe rrezik të menjëhershëm për jetën.
“Aktualisht ka marrë tre flakone gjak dhe për momentin gjendja mbetet e rëndë në reanimacion. Shpresojmë që në orët në vijim situata të përmirësohet. 24-48 orët e ardhshme janë vendimtare”, shtoi mjeku kirurg.
Ekipi mjekësor vijon trajtimin intensiv ndërsa pritet që orët e ardhshme të jenë vendimtare për jetën e 15-vjeçarit.
©️zërionline


