Policia Federale braziliane ka arrestuar në Rio de Janeiro ish-ministrin e Jashtëm të Perusë, Manuel Augusto Blacker Miller, i cili kërkohej nga drejtësia shqiptare për mashtrim të lidhur me projektin e një inceneratori në Shqipëri. 80-vjeçari ishte në arrati prej shtatë vitesh dhe figuronte në listën e kërkimit ndërkombëtar të Interpolit.
Arrestimi u krye në lagjen Flamengo, nga Njësia e Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë Federale, në zbatim të urdhrit të Gjykatës së Lartë Federale për qëllim ekstradimi në Shqipëri. Ai do të mbetet në paraburgim deri në përfundimin e procedurave.
Miller akuzohet për përfshirje në një skemë mashtrimi financiar që lidhet me ndërtimin e një inceneratori të mbetjeve në një qytet shqiptar. Sipas hetimeve, ai dyshohet se premtoi një investim që nuk e përmbushi.
Për këtë vepër, drejtësia shqiptare e ka dënuar me tetë vite burg, të cilat ai pritet t’i vuajë pas ekstradimit.
Manuel Augusto Blacker Miller shërbeu si ministër i Jashtëm i Perusë në vitin 1991, gjatë qeverisë së Alberto Fujimorit. Në vitin 2007 ai u dënua në Peru me katër vite burg, së bashku me disa ish-anëtarë të kabinetit Fujimori, për rolin në organizimin e grushtit të shtetit të vitit 1992. Pas kësaj, ai u zhvendos në Shqipëri, ku qëndroi për pesë vite dhe u bë aksionar kryesor në një kompani private.
Hyrja e zhurmshme në Shqipëri
Në korrik të vitit 2013, në median shqiptare u përhap informacioni se Policia kishte arrestuar fillimisht ish-ministrin peruan Blecker-Miller, të kërkuar nga vendi i tij nëpërmjet Interpol-it dhe më tej ishte liruar, pas procedurave të dyshimta.
Megjithatë, pas lajmeve të përhapura në median shqiptare për një arrestim të mundshëm të tij në verën e vitit 2013, deputeti socialist opozitar i asaj kohe, Erion Braçe, ka publikoi disa të dhëna lidhur me qëndrimin në Shqipëri të ish-ministrit peruan. Ndërkohë pretendimet u rrëzuan menjëherë nga Policia e Shtetit, e cila deklaroi se nuk kishte asnjë urdhër-kërkimi ndërkombëtar ndaj tij.
Po ashtu, edhe vetë Manuel Augusto Blecker-Miller mohoi që ndaj tij të kishte urdhër-kërkimi ndërkombëtar. Madje, ai deklaroi se kishte ardhur në Shqipëri që në vitin 2012 për të zhvilluar projektin e tij për përpunimin e mbetjeve.
Pas kësaj zhurme, Manuel Augusto Blecker-Miller fitoi azil politik në Shqipëri, në shtator 2013, ndërkohë që vijoi të avanconte idenë e projektit në Fier, nëpërmjet shoqërisë së tij “Apollon Investment”./Shqiptarja


