Një pedofil u ekzekutua në një pritë, më pak se 24 orë pasi u lirua nga burgu.
Joao Ferreira da Silva, 46 vjeç, i cili po vuante një dënim me 42 vjet burg për përdhunimin dhe vrasjen e 9-vjeçarit Bruno Apareido dos Santos , u vra nga dy burra të maskuar në mes të ditës në qytetin e Sinopit, në shtetin e Mato Grosso, Brazil, më 10 dhjetor. Viktima ishte liruar me kusht, pak orë para se të ekzekutohej.
Nga video e publikuar duket qartë se krimi ka ndodhur brenda pak sekondash.
Një burrë me një kapelë të zezë bejsbolli, pulovër të errët dhe xhinse i afrohet nga pas dhe i drejton një armë.
Ferreira da Silva kthehet për ta parë dhe vendos duart në kokë pasi sulmuesi e shtyn nga mbrapa.
Një burrë i dytë i armatosur, i veshur në mënyrë të ngjashme dhe me një maskë në fytyrë, shkon drejt ndërtesës për të mbajtur kalimtarët larg vendit të ngjarjes.
Ferreira da Silva largohet me personin e armatosur përpara se të dëgjohen disa të shtëna.
Sipas raportimeve, ai u rrëzua në trotuar dhe vdiq në vend, ndërsa autorët u larguan me vrap. Në vendngjarje u gjetën tre gëzhoja plumbash.
Njësia e vrasjeve ka marrë përsipër hetimet për të identifikuar autorët dhe për të përcaktuar motivin e vrasjes, ndërsa po shqyrton gjithashtu nëse të shtënat ishin të lidhura me lirimin e tij të fundit nga burgu.
Ferreira da Silva u dënua për vdekjen e 9-vjeçarit në vitin 2005. Ai rrëfeu se e kishte përdhunuar dhe vrarë fëmijën dhe se e kishte varrosur trupin pranë vendit të ngjarjes, ndërsa familja e Brunos e raportoi të zhdukur pasi ai nuk u kthye në shtëpi.
Ferreira da Silva u arrestua 10 ditë më vonë pasi u përpoq të sulmonte një fëmijë tjetër. Pavarësisht rrëfimit të tij fillestar, ai më vonë i tha gjykatës se nuk mbante mend nëse ishte përgjegjës.
Nëna e Brunos tha se ndjeu dhimbje dhe lehtësim kur mësoi për vdekjen e Ferreira da Silva-s.
©️zërionline


