Goditja e prostitucionit në Durrës vijon pa ndërprerje, teksa policia ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit të koduar “STORM”, duke çuar në pranga dy shtetase të huaja dhe duke zbardhur një tjetër skemë të ushtrimit të kësaj veprimtarie kriminale në qytet.
Policia finalizoi fazën e 12-të të operacionit dhe si rezultat, dy shtetase kolumbiane u arrestuan në flagrancë në zonën e Vollgës, ndërsa 6 shtetas shqiptarë u proceduan penalisht.


Sipas njoftimit zyrtar, strukturat e DVP Durrës, përmes Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, zhvilluan një hetim disa javor me metoda speciale, për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.
Gjatë operacionit, në lagjen nr. 1, rruga “Taulantia”, zona e Vollgës, u vunë në pranga shtetaset J. C., 23 vjeçe, dhe M. A., 25 vjeçe, lindur dhe banuese në Kolumbi. Hetimet treguan se dy të rejat kishin marrë me qira një apartament në këtë zonë, të cilin e shfrytëzonin për ushtrimin e prostitucionit.
Po ashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë edhe 6 shtetas shqiptarë nga Durrësi, Shijaku dhe Kavaja, të dyshuar për përfshirje në të njëjtën veprimtari të paligjshme.
Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi dy pasaporta të shtetaseve të huaja, shuma parash në euro dhe lekë, si dhe 10 formularë dërgesash monetare me vlerë totale 15 093 euro, të transferuara drejt familjarëve në Kolumbi brenda një periudhe 20-ditore.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë Durrës, për vijimin e veprimeve ligjore.
©️zërionline


