Autoritetet kineze kanë ndërmarrë masa për të kufizuar dhe rregulluar një kategori të caktuar serialesh televizive dhe online, të cilat vitet e fundit janë bërë tepër popullore, veçanërisht në platformat digjitale me videoseri të shkurtra. Bëhet fjalë për histori romantike ku një burrë shumë i pasur, shpesh i portretizuar si CEO apo miliarder, bie në dashuri me një vajzë të varfër ose me jetë të thjeshtë, duke i zgjidhur asaj të gjitha problemet përmes pasurisë dhe pushtetit të tij.
Administrata Kombëtare e Radios dhe Televizionit në Kinë (NRTA), institucioni që mbikëqyr përmbajtjen audiovizive, ka theksuar se këto produkte mediatike “priren të glorifikojnë pasurinë ekstreme dhe të paraqesin një realitet të shtrembëruar për suksesin dhe jetën personale”. Sipas një përfaqësuesi të këtij institucioni, i cituar nga media ndërkombëtare, “përmbajtja audiovizive duhet të përcjellë vlera të shëndetshme dhe reale, jo iluzione që e lidhin lumturinë vetëm me paranë dhe statusin”.
Sipas autoriteteve kineze, këto seriale po ndikojnë veçanërisht te vajzat e reja, duke krijuar pritshmëri të gabuara për jetën dhe dashurinë, sikur rruga drejt një jete të suksesshme kalon vetëm përmes martesës me një burrë të pasur. Qeveria argumenton se një mesazh i tillë rrezikon të dekurajojë përpjekjet personale, arsimin dhe ndërtimin e karrierës.
Masa nuk përbën një ndalim të plotë të serialeve romantike, por fokusohet kryesisht te të ashtuquajturat “micro-drama” online, seriale shumë të shkurtra që qarkullojnë masivisht në platformat digjitale dhe konsumohen kryesisht nga të rinjtë. Udhëzimet kërkojnë që këto prodhime të shmangin stereotipet e tepruara, materializmin dhe narrativat ku pasuria shfaqet si zgjidhje universale për çdo problem.
Vendimi ka sjellë reagime të ndryshme në publik. Disa e mbështesin, duke thënë se media duhet të luajë një rol edukues dhe të mos ushqejë iluzione. Të tjerë e kritikojnë, duke e konsideruar këtë qasje si ndërhyrje dhe censurë ndaj krijimtarisë artistike.
Megjithatë, Kina ka qenë prej kohësh e njohur për kontrollin e rreptë të përmbajtjes mediatike, dhe ky hap shihet si pjesë e një strategjie më të gjerë për të orientuar mesazhet që u transmetohen brezave të rinj mbi dashurinë, suksesin dhe rolin e individit në shoqëri.
©️zërionline


