Motra e punonjësit të policisë Fredi Lamaj ka reaguar publikisht për herë të parë, duke hedhur poshtë akuzat e shtetasit Altin Meçaj nga Cakrani i Fierit, i cili ka deklaruar në media se është dhunuar nga vëllai i saj bashkë me babain e moshuar.

Në reagimin e saj, ajo thekson se këto pretendime janë të pavërteta dhe se Fredi Lamaj nuk ka qenë pjesë e asnjë rrahjeje apo konflikti, fakt që sipas saj mund të provohet. Ajo shprehet se prej disa ditësh Altin Meçaj po shfaqet vazhdimisht në media duke dhënë deklarata të rreme dhe duke u paraqitur padrejtësisht si viktimë.
Sipas saj, ndryshe nga sa është deklaruar publikisht, kontakti i Meçajt ndaj saj nuk ka qenë thjesht një koment në Facebook, por një seri mesazhesh private, të përsëritura dhe këmbëngulëse, të cilat ajo i cilëson si ngacmim dhe përndjekje. Ajo sqaron se nuk i është përgjigjur asnjëherë këtyre mesazheve dhe se komunikimi ka qenë i njëanshëm dhe i padëshiruar.
Këto sjellje, thotë ajo, i kanë shkaktuar shqetësime serioze emocionale dhe familjare, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe te vëllai i saj. Për këtë arsye, ajo shprehet se është kthyer nga Italia, ku jeton, për të depozituar një kallëzim penal për përndjekje ndaj Altin Meçajt.
Motra e policit shton gjithashtu se, sipas informacioneve të marra nga persona të ndryshëm, sjellje të tilla nga ana e këtij shtetasi nuk janë të izoluara, por dyshohet se janë përsëritur edhe ndaj vajzave të tjera.
Në lidhje me dhunën që Meçaj pretendon se ka pësuar së fundmi, ajo deklaron se ngjarja nuk ka asnjë lidhje me familjen Lamaj dhe se, sipas dijenisë së tyre, nuk është shkaktuar nga vëllai i saj apo persona të afërt me familjen.
Ajo thekson se nuk ka pasur interes të dalë në media, por është ndjerë e detyruar të reagojë për të mos lejuar, sipas saj, që gënjeshtrat e përsëritura të dëmtojnë dinjitetin e një personi të pafajshëm dhe të shtrembërojnë të vërtetën, duke kërkuar që çështja të trajtohet me qetësi, paanshmëri dhe verifikim faktesh.
©️zërionline


