Një aksident i rëndë me pasojë humbjen e jetës është shënuar mbrëmjen e kaluar në aksin rrugor Shijak–Katund Sukth. Sipas Policisë, rreth orës 22:30 të datës 26 janar 2026, një automjet i drejtuar nga shtetasi B. R., 27 vjeç, banues në Durrës, ka përplasur një këmbësor.
Viktima, shtetasi G. M., 73 vjeç, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje. Drejtuesi i automjetit është arrestuar në flagrancë nga specialistët e qarkullimit rrugor, ndërsa po kryhen veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Gjatë 24 orëve të fundit, policia rrugore ka arrestuar edhe shtetasin S. K., 42 vjeç, banues në Rrogozhinë, i cili u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Po ashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi S. B., 40 vjeç, banues në Durrës, pasi duke drejtuar automjetin nën efektin e alkoolit, në lagjen nr. 14 të qytetit, u përplas me një automjet tjetër. Nga ky aksident pati vetëm dëme materiale.
Ndërkohë, materialet janë referuar në Prokurori edhe për një 17-vjeçar, i cili dyshohet se ka humbur kontrollin mbi motomjetin që drejtonte në fshatin Gjepalaj, duke dalë nga rruga. Si pasojë e aksidentit, është dëmtuar lehtë pasagjeri, shtetasi P. G.
©️zërionline


