Grabitën 220 mijë euro pensione në Korçë, Prokuroria jep detaje nga hetimi i dy punonjëseve të Postës

Date:

Share post:

Prokuroria ka dhënë detaje sot, më 27 janar, nga hetimi ndaj dy zyrtareve të Postës në Korçë, të cilat dyshohet se kanë përvetësuar rreth 220 mijë euro në dëm të pensionistëve, përmes abuzimit me fondet publike dhe shpërdorimit të detyrës.Në një njoftim zyrtar, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë bën me dije se hetimet janë regjistruar pas kallëzimit të bërë nga drejtuesit e Degës Postare Korçë, pas evidentimit të parregullsive serioze financiare në Degën Postare Bilisht. Sipas Prokurorisë, hetimi nisi pas një kontrolli të brendshëm administrativ, gjatë të cilit u konstatuan mospërputhje të theksuara financiare mes gjendjes faktike të arkës, dokumentacionit financiar justifikues dhe të dhënave të pasqyruara në sistemin elektronik financiar. Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se gjatë periudhës tetor 2025 – janar 2026, dy punonjëset e Postës dyshohet se kanë kryer veprime të kundërligjshme në administrimin e parave cash. Prokuroria thekson se këto veprime janë realizuar përmes manipulimit të mandateve të pagesave, ndërhyrjeve në të dhënat e sistemit financiar, si dhe administrimit të parregullt të dokumentacionit kontabël, duke sjellë pasoja të rënda financiare. 

Në njoftimin zyrtar evidentohet se materiali hetimor i administruar deri në këto momente ka zbuluar një sërë shkeljesh serioze, si: pasqyrim i rremë i të dhënave financiare, firmosje mandatesh jashtë ambienteve të zyrës postare, firmosje mandatesh pa shënuar shumat përkatëse, mospërputhje mes shumave të dorëzuara realisht dhe atyre të pasqyruara në dokumente, si dhe mosmbajtje e rregullt e librit të arkës, përfshirë edhe grisje të faqeve të tij. 

“Si pasojë e këtyre veprimeve dyshohet se është shkaktuar një dëm ekonomik me vlerë të konsiderueshme, i cili aktualisht po i nënshtrohet ekspertimit financiar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria bën me dije se ndaj shtetaseve P.Sh., përgjegjëse në Zyrën Postare Vishocicë, dhe E.Ç., arkëtare në Degën Postare Bilisht, është caktuar fillimisht masa e sigurimit personal në mungesë. Pas ekzekutimit të kësaj mase dhe marrjes në pyetje të tyre, Gjykata vendosi vijimin e masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” për të dyja. Dy zyrtaret dyshohen për kryerjen e veprës penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 135 dhe 25 të Kodit Penal. Gjatë hetimeve, Prokuroria e Korçës ka kryer një sërë veprimesh procedurale, përfshirë sekuestrimin e dokumentacionit financiar dhe pajisjeve elektronike, kontrolle banesash, këqyrje të sistemeve informatike, si dhe marrjen e deklarimeve nga persona të përfshirë apo që kanë dijeni për rastin. Paralelisht, po vijon edhe analiza e komunikimeve elektronike të administruara gjatë hetimit.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Ministrja Klodiana Spahiu reagon për Erjon Vishkullin: “Operacioni në Romë i shpëtoi syrin të riut të plagosur në protestë”

Ministrja Klodiana Spahiu e ka cilësuar ditën si një ditë lajmesh të mira, duke lidhur miratimin në qeveri...

Gjendet i pajetë shqiptari 31-vjeçar në Itali, trupi u zbulua në një pus 10 metra të thellë

Trupi i pajetë i 31-vjeçarit shqiptar Denaldo Maxhallaku është gjetur në fund të një pusi rreth 10 metra...

Erion Veliaj transferohet në burgun e Fierit, 2 ditë pasi mbështeti protestat studentore në Serbi

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është transferuar në paraburgimin e Fierit. Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që...

Protesta e djeshme para Ministrisë së Arsimit, arrestohet 27-vjeçari dhe 49-vjeçarja

Dy protestues janë arrestuar nga Policia e Tiranës lidhur me tubimin e zhvilluar ditën e djeshme përpara Ministrisë...