Pas disa ditësh vështirësish dhe pritjesh të gjata, është gjetur zgjidhje për dhjetëra kamionistë që kishin mbetur të bllokuar në pikën kufitare të Qafë Thanës. Burime pranë pikës së kalimit bëjnë me dije se Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka marrë kontakt me autoritetet e Maqedonisë së Veriut, duke mundësuar një zgjidhje të përkohshme për situatën e krijuar, pas daljes jashtë funksionit te rruges në Librazhd.
Sipas informacioneve, pala maqedonase do të lejojë kthimin mbrapsht të kamionëve në Qafë Thanë dhe do t’i pajisë drejtuesit me një dokument të posaçëm, i cili u mundëson kalimin përmes pikës kufitare të Bllatës. Nga aty, mjetet e tonazhit të rëndë do të vijojnë itinerarin përmes Rruga e Arbrit drejt destinacioneve të tyre.
Prej ditësh, dhjetëra kamionistë të huaj e vendas ishin bllokuar jo vetëm në Qafë Thanë, por edhe në zonën pranë Hotolishtit, si pasojë e shembjes së rrugës në Dragostunjë. Situata ka krijuar radhë të gjata mjetesh dhe vështirësi të mëdha për transportuesit, duke ndikuar drejtpërdrejt në zinxhirin e furnizimit dhe kostot e transportit e tregut.
Zgjidhja e arritur shmang përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës dhe u jep mundësi drejtuesve të mjeteve të rëndë, të cilët prej ditësh përballeshin me pasiguri dhe mungesë informacioni të qartë. Megjithatë, rasti nxjerr në pah nevojën për plane emergjence më efikase dhe koordinim më të shpejtë institucional, në mënyrë që bllokime të tilla të mos lënë për ditë të tëra dhjetëra mjete në pritje.
©️zërionline


