SPAK dërgon në gjyq Arben Ahmetajn e 10 të tjerë për inceneratorin e Elbasanit

Date:

Share post:

Hetimi për aferën korruptive për Inceneratorin e Elbasanit, solli ndarjen me një tjetër fraksion për të pandehurin Arben Ahmetaj ku nisi dhe një hetim pasuror. Tashmë Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-zv/kryeministrin Ahmetaj e 10 persona të tjerë, përfshirë bashkëshorten Erjola Hoxha dhe ish-bashkëshorten Albina Mançka, të akuzuar për ‘Fshehje të pasurisë’, ‘Pastrim i produkteve penale’ e ‘Korrupsion’.

Nga hetimet ka rezultuar se Arben Ahmetaj ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv” në 9 raste. Sipas SPAK, Ahmetaj ka përfituar nga Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, sipërmarrës të inceneratorëve, shuma të konsiderueshme parash nëpërmjet pagesave apo shitjeve fiktive.

Ka fshehur pasurisë apo ka bërë deklarim të rremë të të ardhurave në 15 raste në bashkëpunim me bashkëshorten dhe ish-bashkëshorten e tij. Në skemën e pastrimit të parave, përveç Mirel Mërtirit e Klodian Zotos, të përfshirë janë dhe Andi Boni, Elda Dinaj, Gerian Kuka, Helidon Begaj, Sonila Goxhaj dhe Sokol Meqemeja.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr 277/1 të vitit 2022, në ngarkim të 11 të pandehurve.

I pandehuri Arben Ahmetaj akuzohet për kryerjen e veprave penale:

“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë apo të zgjedhurve vendorë”, i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, 9 (nëntë) herë, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, në rrethanën rënduese të parashikuar nga neni 50 gërma “h” e këtij Kodi (më shumë se një herë). Nga hetime është vërtetuar se:

I pandehuri ka përfituar nga të pandehurit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, përmes kryerjes së pagesave nga shoqëria “Integrated Techonogy Services” sh.p.k. nga faturat e lëshuara për shërbime apo mallra, në lidhje me investimet e kryera nga të pandehurit Arben Ahmetaj dhe Albina Mançka, për shndërrimin e një apartamenti të tyre në AirBnb, në shumën prej 2 007 373 (dy milionë e  shtatë mijë e treqind e shtatëdhjetë e tre) lekë në vitet 2019 – 2020.

Ka përfituar nga të pandehurit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, përmes të pandehurve Andi Boni dhe Helidon Begaj, shumën prej 170 480 (njëqind e shtatëdhjetë mijë e katërqind e tetëdhjetë) euro, nëpërmjet realizimit të një shitjeje fiktive.

Ka përfituar nga të pandehurit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, përmes shtetasit Besmir Prifti dhe të pandehurve Sonila Goxha dhe Sokol Meqemeja, shumën prej 270 000 (dyqind e shtatëdhjetë mijë) euro, nga një shitje fiktive.

Ka përfituar nga të pandehurit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, përmes të pandehurve Gerian Kuka dhe Erjola Hoxha, vilën e ndodhur në Hamallaj, e vlerësuar në shumën 230 000 (dyqind e tridhjetë mijë) euro.

Ka përfituar nga të pandehurit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri shuma monetare nga shpenzimet që ata kanë kryer për udhëtimet e të pandehurit, Arben Ahmetaj dhe familjarëve apo miqve të tij, në një vlerë totale prej 31 442 (tridhjetë e një mijë e katërqind e dyzetë e dy) lekë (udhetime te kryera pergjate viteve 2013, 2014, 2015, 2016, 2017).

“Refuzim për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” gjithsej 15 (pesëmbëdhjetë) herë, vetëm ose në bashkëpunim, parashikuar nga neni  257/a paragrafi i dytë,  257/a paragrafi i dytë e 25  i Kodit Penal, në rrethanën rënduese të parashikuar nga neni 50 gërma “h” e Kodit Penal (më shumë se një herë), pasi nga hetimet është vërtetuar se:

Ka fshehur burimin dhe ka bërë deklarimin të rremë, në lidhje me sasinë e parave të investuara prej tij dhe bashkëshortes së tij në atë kohë, shtetases Albina Mançka, në pallatin e ndërtuar nga shoqëria Lani sh.p.k.. Ky deklarim i rremë është kryer në deklaratën e dorëzuar më datë 10.2022 në bashkëpunim me të pandehurën, Albina Mançka dhe në deklaratën e dorëzuar më datë 23.03.2023.

Ka fshehur shumat e shpenzuara për investimin e kryer në apartamentin e shndërruar në AirBnb si dhe burimin e tyre, në vlerë totale 7 173 600 lekë të kryera  përgjatë viteve 2019 dhe 2020, ku për vlerën 2 007 373 (dymilionë e shtatë mijë e treqind e  shtatëdhjetë e tre) lekë, është vërtetuar se derivojnë nga shtesit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Ky deklarim i rremë është  kryer në bashkëpunim me të  pandehurën Albina Mançka.

Ka kryer deklarim të rremë, në lidhje me pasqyrimin në deklaratat e dorëzuara në ILDKPKI sikur ka shitur pasuri për shtetasit Besmir Prifti dhe Sonila Goxha dhe transaksionet e kryera me ta lidhur me këto shit-blerje. Gjithashtu edhe sipërfaqen e ndërtimit mbetur në pronësi në pallatin ku ndodhen këto pasuri pasi u vërtetua se shitjet në fjalë janë fiktive dhe janë kryer me qëllim mbulimin/fshehjen e burimit të shumës prej 270 000 (dyqind e shtatëdhjetë mijë) euro, dhënë si mitë nga të pandehurit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Këtë deklarim të rremë e ka kryer në deklaratat e pasurisë të dorëzuara në ILDKPKI më datë 29.3.2019  dhe  10.2022 në bashkëpunim me të pandehurën Albina Mançka dhe më datë 23.3.2023.

Ka kryer deklarim të rremë, duke u fshehur burimi i vërtetë i një shume prej 30 000 (tridhjetë mijë) euro, gjendur gjatë kontrollit të vilës në Hamallaj, deklaruar si dhurata. Ky deklarim i rremë, i bërë në deklaratën e dorëzuar më datë  3.2023, është  kryer në bashkëpunim me të pandehurën Erjola Hoxha.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Rezultatet e votimit në PD/ Durrësi e Shijaku, mbështetje masive për Berishën

Ka përfunduar procesi i votimit në referendumin e votëbesimit në degët e Partisë Demokratike në Durrës dhe Shijak,...

Referendumi për Berishën në Durrës/ Pjesëmarrja arrin deri në 20% në 5 orët e para, ka edhe vota kundër

Procesi i votimit për referendumin e votëbesimit në Partinë Demokratike po vijon i qetë këtë të shtunë në...

U përplas me armë me policinë greke, plagoset shqiptari

Një përplasje me armë zjarri mes një shqiptari dhe policisë në orët e para të mëngjesit të sotëm...

Sherr në paraburgimin e Vlorës, dhunohet ‘biznesmeni’ 

Një sherr ka ndodhur në paraburgimin e Vlorës, ku sipas raportimeve të paktën 5 persona kanë dhunuar një...