Në prag të festës së madhe të Pashkës, besimtarët katolikë në Durrës janë mbledhur këtë të shtunë në Kon-katedralen “Shën Lucia”, duke ruajtur një nga traditat më kuptimplota të kësaj periudhe, qe lidhet me bekimin e ushqimeve.
Me shporta në duar, familje besimtare iu drejtuan kishës, duke sjellë ushqimet simbolike që do të shtrohen në tryezën e së dielës së Ringjalljes. Në një atmosferë të qetë dhe plot përkushtim, ky rit është një moment falënderimi dhe lutjeje, për të mirat e marra, për shëndet, paqe dhe shpresë në çdo vatër familjare.
Bekimi i ushqimeve mbetet një nga çastet më domethënëse të përgatitjeve për Pashkë, një traditë që lidh besimin me jetën e përditshme dhe që përcillet brez pas brezi.
E shtuna para Pashkës konsiderohet dhe një ditë reflektimi dhe përgatitjeje shpirtërore, përpara gëzimit të madh të së dielës, kur besimtarët kremtojnë Ringjalljen e Krishtit, simbolin e jetës së re dhe të shpresës që rilind.
©️zërionline


