Ylli Çifti, Një jetë në këngë

Date:

Share post:

Ka zëra që nuk i largohen kohës dhe bëhen pjesë e identitetit të qytetit. Një prej tyre është Ylli Çifti, këngëtari durrsak që prej më shumë se gjysmë shekulli i ka qëndruar besnik muzikës dhe publikut të tij.

I lindur dhe rritur në Durrës, rrugëtimi i tij artistik nisi herët në Shtëpinë e Pionierëve. Që në fëmijëri, talenti i tij u dallua dhe u vlerësua me çmimin e parë në Festivalin e Parë të Fëmijëve në vitin 1966. Pas kësaj, Çifti u angazhua në koncerte lokale, ndërsa në vitin 1969 u përzgjodh së bashku me mikun e tij Petrit Dobiani për të kryer shërbimin ushtarak në Ansamblin e Ushtrisë.

Pas shërbimit, ai u kthye në Durrës dhe filloi një jetë artistike intensive, duke kënduar njëkohësisht në estradën profesioniste dhe Pallatin e Kulturës “Rinia”, si dhe duke marrë pjesë në festivalet e RTSH-së. Çifti u bë një nga zërat më të njohur të këngës popullore dhe qytetare, duke ruajtur autenticitetin dhe stilin e tij të veçantë në dekada të tëra aktiviteti.

Këngëtari Ylli Çifti është i njohur jo vetëm për zërin e tij karakteristik, por edhe për interpretimin e ndjerë të këngës popullore qytetare dhe lidhjen me publikun. Ai ka sjellë këngën popullore në skena brenda dhe jashtë vendit, nga Kosova e deri në Turqi, duke qenë një urë lidhëse mes traditës dhe brezave të rinj. Edhe sot, në moshën 73-vjeçare, ai vazhdon të ngjitet në skenë, duke treguar se muzika nuk është thjesht profesion, por mënyrë jetese. Së fundmi e kemi parë te Gurra Popullore në Top Channel, një hapësirë e bukur kohore që i dedikohet trashëgimisë së pasur popullore të trevave të ndryshme të vendit.

Intervistë me Ylli Çiftin

1. Si nisi rrugëtimi juaj muzikor dhe cili ishte momenti kur e kuptuat se muzika do të ishte pjesë e jetës suaj?

Rrugëtimi im muzikor ka nisur shumë herët. Në vitin 1964, në Shtëpinë e Pionierëve, ndërsa në skenë dola për herë të parë në vitin 1966, në Festivalin e Parë të Fëmijëve, ku u vlerësova me çmim të parë për interpretimin.

Kam vazhduar të këndoj në koncerte po aty, dhe në vitin 1969, në festivalin “Roja Bregdetare” në Durrës, të organizuar nga Ansambli i Ushtrisë, u përzgjodha bashkë me mikun tim Petrit Dobiani për të kryer shërbimin ushtarak në këtë ansambël.

Pas shërbimit u ktheva në Durrës dhe fillova një jetë artistike intensive, duke kënduar njëkohësisht në estradën profesioniste dhe në Pallatin e Kulturës “Rinia”, si dhe duke marrë pjesë në festivalet e RTSH-së.

2. Çfarë kujtimesh ruani nga vitet e para të aktivitetit artistik në Durrës?

Kujtimet e para në skenë i mbaj mend me shumë emocione. Dridhesha, por ishin emocione të bukura që më jepnin më shumë forcë dhe më inkurajonin të vazhdoja.

3. A ka një këngë apo aktivitet që e ndjeni veçanërisht të lidhur me ju?

Të gjitha këngët i kam dashur dhe i kam interpretuar me shumë shpirt. Por me kalimin e viteve, kënga popullore është bërë më e afërt për mua. Në vitin 1980, gjatë një festivali në Turqi, u riktheva më fort tek ajo.

4. Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha në rrugën tuaj artistike?

Kam pasur shumë sfida, por i kam përballuar me punë dhe vullnet. Pjesëmarrja në festivalet e këngës në RTVSH, në festivalet e këngës popullore me Ansamblin e Shtetit dhe në shumë aktivitete të tjera brenda e jashtë vendit më kanë bërë më të përgatitur për çdo sfidë.

5. Si ka ndryshuar muzika dhe marrëdhënia e këngëtarit me publikun para viteve ’90 dhe sot?

Sot, muzika shqiptare është rritur shumë, ka nivel dhe zëra të mrekullueshëm. Por për këngën popullore mendoj se ka pësuar deformime. Ka shumë tallava.

Para viteve ’90 kishte kufizime dhe nuk lejohej të dilje jashtë një rrethi të caktuar artistik, ndërsa sot këngëtarët janë të lirë dhe komunikojnë më drejtpërdrejt me publikun. Janë më pranë tij.

6. Çfarë vendi zë sot muzika në jetën tuaj dhe çfarë ju mban ende të lidhur me të?

Kam filluar të këndoj që në vitin 1965 dhe nuk jam larguar kurrë nga muzika. Ajo është ilaçi i jetës sime dhe arsyeja pse vazhdoj të jem ende aktiv.

7. Çfarë mesazhi do t’u jepnit këngëtarëve të rinj?

Do t’u këshilloja të rinjve të punojnë fort për të njohur sa më mirë muzikën tonë të lehtë dhe atë popullore, sepse vetëm kështu mund të ruhet kultura, trashëgimia jonë e pasur kulturore.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Një mësues humb jetën në rrugën e shkollës dhe harresës

Ai nuk ishte ushtar, por ra në krye të detyrës. Nuk kishte armë, por një çantë me ditarin...

Para pa deklaruar dhe pajisje të dyshimta, në pranga 49-vjeçari në dalje të Portit

Një 49-vjeçar nga Durrësi është arrestuar në flagrancë në Pikën e Kontrollit Kufitar të Portit të Durrësit, pasi...

Ndërtime pa leje në Himarë, Prokuroria e Vlorës dërgon në gjyq 7 persona

Prokuroria e Vlorës përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq për shpërdorim detyre 4 ish-zyrtarët e IMT-së Himarë dhe 3 shtetas për...

Përfundimisht 30 vite burg shqiptares që masakroi çiftin Tasho në Itali

41-vjeçarja shqiptare, Elona Kalesha është dënuar me 30 vite burg nga Gjykata e Kasacionit në Itali. Dënimi i...