Bordi i Transparencës ka vendosur rritjen e çmimeve të karburanteve në mbledhjen e zhvilluar më 14 prill 2026, duke përcaktuar çmime të reja tavan për shitjen me pakicë dhe shumicë në tregun vendas.
Sipas vendimit, çmimi i naftës (gazoil) për shitje me pakicë nuk duhet të kalojë 215 lekë për litër, ndërsa për shitjen me shumicë është përcaktuar në maksimum 203 lekë për litër. Ndërkohë, benzina do të tregtohet me një çmim maksimal prej 178 lekë për litër në pakicë dhe 166 lekë për litër në shumicë.
Këto çmime hynë në fuqi sot, më 14 prill, në orën 15:00 dhe do të mbeten të vlefshme deri në një vendim të ri të Bordit, ku pritet të reflektohen ndryshimet e mëtejshme në treg.
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë operatorëve të tregtimit të nënprodukteve të naftës të zbatojnë me rigorozitet vendimin, duke paralajmëruar masa të forta, deri në pezullim aktiviteti, në rast shkeljesh.
Nga ana tjetër, institucionet përgjegjëse theksojnë se janë të angazhuara për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.
Në sqarimin shoqërues, bëhet e ditur se çmimet aktuale janë nën kufijtë e përcaktuar në aktin normativ për akcizat, që do të thotë se niveli i akcizës do të vijojë të zbatohet i plotë, në masën 100%.
©️zërionline


