Një skemë e dyshuar mashtrimi me TVSH është goditur nga Prokuroria e Tiranës, duke çuar në sekuestrimin e llogarive bankare të gjashtë shoqërive tregtare, me një vlerë totale mbi 73 milionë lekë.
Sipas hetimeve, subjektet kanë përdorur fatura fiktive për punime dhe shërbime të pakryera, me qëllim përfitimin e padrejtë të TVSH-së dhe shmangien e detyrimeve tatimore. Nga analiza financiare rezulton se përmes kësaj skeme i është shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 500 mijë eurosh.
“Nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, rezultoi se këto subjekte kanë përdorur fatura fiktive me qëllim shmangjen e detyrimeve tatimore. Këto subjekte dyshohet se kanë qenë pjesë e një skeme të organizuar, ku janë lëshuar dhe përdorur fatura për punime dhe shërbime të pa kryera realisht, me qëllim përfitimin e padrejtë të TVSH-së dhe uljen e detyrimeve fiskale”, njoftoi Prokuroria e Tiranës.
Për këtë arsye, u vendos sekuestro preventive dhe bllokim i menjëhershëm i llogarive bankare për disa shoqëri, me vlera të konsiderueshme monetare si më poshtë:
“OLT-FLOR” shpk – në vlerën 6,479,834 lekë; administrator: Nevruz Islami
“OLTI-Group” shpk – në vlerën 1,542,834 lekë; administrator: Kujtim Elqeni
“ALBAVIA” shpk – në vlerën 23,056,593 lekë (TVSH + TF); administratorë: Hasan Hafizi dhe Shkëlqim Rakipaj
“Kukës Chrome Minerals” shpk – në vlerën 24,570,607 lekë (TVSH + TF); administratorë: Ador Dibra, Gentian Çërraga, Petrit Koldashi, Sokol Dibra
“Troci 2005” shpk – në vlerën 10,521,085 lekë (TVSH + TF); administratorë: Elton Troci dhe Edrion Troci
“STANDART” shpk – në vlerën 6,880,483 lekë (TVSH + TF), administratorë: Demo Buci dhe Xhafer Bejko
Hetimet vijojnë për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese në lidhje me TVSH” dhe “Fshehja e të ardhurave”, ndërsa nuk përjashtohet marrja e masave të tjera procedurale në vijim.
©️zërionline


