Kriza e naftës/ 40-60 % më pak autobusë në transportin publik. Po qytetarët?!

Date:

Share post:

Reduktimi i transportit publik nuk është kufizuar vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe, ku situata paraqitet edhe më e rënduar. Sipas përfaqësuesve të sektorit, në disa qytete numri i autobusëve në qarkullim është ulur deri në 60 për qind.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, Dashnor Memaj, bëri të ditur se në Durrës reduktimi ka arritur në 50%, në Vlorë dhe Berat deri në 60%, në Lushnjë 50% dhe në Peshkopi rreth 40%. Ndërkohë, transporti ndërqytetas me furgonë vijon të operojë me orare të kufizuara.

Rënie e pasagjerëve dhe rritje kostosh
Sipas Memajt, sektori është përballur prej kohësh me vështirësi financiare, të përkeqësuara nga rënia e numrit të pasagjerëve, që në disa raste ka arritur deri në 50% krahasuar me vitet e mëparshme. Kjo situatë është thelluar më tej pas pandemisë dhe së fundmi nga rritja e çmimeve të karburantit.

Operatorët paralajmërojnë se, në mungesë të një ndërhyrjeje nga institucionet shtetërore për kompensimin e naftës, shumë prej tyre rrezikojnë pezullimin e plotë të shërbimit.

“Operatorët, si në rrethe ashtu edhe në Tiranë, e kanë të pamundur të vijojnë normalisht aktivitetin pa mbështetje, ndërsa çmimi i naftës është rritur dhe numri i udhëtarëve ka rënë ndjeshëm,” theksoi Memaj.

Kërkesa për kompensim dhe kufizime në çmimin e biletës
Në total, në vend funksionojnë rreth 450 linja të rregullta transporti, të operuara nga afro 250 subjekte. Shoqatat e sektorit kanë dërguar disa kërkesa zyrtare drejt Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Financave dhe bashkive për të adresuar situatën.

Një nga kërkesat kryesore mbetet aplikimi i një skeme të ngjashme me atë të vitit 2022, ku operatorët u kompensuan për një periudhë gjashtëmujore me rreth 100 lekë për litër naftë.

Ndërkohë, operatorët nuk kanë mundësi të rrisin çmimet e biletave për të përballuar kostot, pasi ato miratohen me vendim qeverie. Megjithatë, qytetarët raportojnë se në disa zona janë aplikuar rritje deri në 20% të çmimeve, duke reflektuar presionin financiar mbi sektorin.

Qytetarët përballen me pritje të gjata
Situata ka ndikuar drejtpërdrejt edhe te qytetarët, të cilët përballen me mungesë mjetesh dhe pritje më të gjata në stacione. Në Tiranë, nga rreth 200 autobusë në funksion, kanë operuar vetëm 115, duke krijuar radhë dhe vonesa të konsiderueshme.

Nëse nuk merren masa konkrete në kohë, operatorët paralajmërojnë për përshkallëzim të mëtejshëm të situatës, me pasoja të drejtpërdrejta për mobilitetin urban dhe ndërurban në të gjithë vendin./Monitor

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Një mësues humb jetën në rrugën e shkollës dhe harresës

Ai nuk ishte ushtar, por ra në krye të detyrës. Nuk kishte armë, por një çantë me ditarin...

Para pa deklaruar dhe pajisje të dyshimta, në pranga 49-vjeçari në dalje të Portit

Një 49-vjeçar nga Durrësi është arrestuar në flagrancë në Pikën e Kontrollit Kufitar të Portit të Durrësit, pasi...

Ndërtime pa leje në Himarë, Prokuroria e Vlorës dërgon në gjyq 7 persona

Prokuroria e Vlorës përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq për shpërdorim detyre 4 ish-zyrtarët e IMT-së Himarë dhe 3 shtetas për...

Përfundimisht 30 vite burg shqiptares që masakroi çiftin Tasho në Itali

41-vjeçarja shqiptare, Elona Kalesha është dënuar me 30 vite burg nga Gjykata e Kasacionit në Itali. Dënimi i...