Ish-drejtuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj, është emëruar në krye të Departamentit për Teknologjinë e Informacionit në Policinë e Shtetit.
Emërimi i saj vjen pas një procesi të shoqëruar me zhvillime ligjore dhe institucionale. Sipas ligjit të Policisë së Shtetit, Hajnaj duhej të rikthehej në të njëjtën detyrë që mbante më parë pas përfundimit të mandatit në krye të BKH-së.
Mosrikthimi i saj në detyrë nga ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, çoi në ndjekjen e rrugës ligjore nga ana e Hajnajt, e cila iu drejtua Gjykatës Administrative.
Padia e ngritur prej saj solli si pasojë anulimin e garës për departamentet në Policinë e Shtetit, duke rihapur procesin që çoi më pas në emërimin e saj në drejtimin e Departamentit të Teknologjisë së Informacionit.
Me këtë lëvizje, Aida Hajnaj rikthehet në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit, këtë herë në një sektor me rol kyç në infrastrukturën teknologjike dhe sistemet e sigurisë.
©️zërionline


