Detaje të reja kanë dalë në dritë pas atentatit tragjik në Balldren, ku mbetën të vrarë Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij. Ngjarja e rëndë ka rikthyer në vëmendje të kaluarën gjyqësore të viktimës dhe konfliktet e mundshme që mund të kenë çuar në këtë krim.
Kreshnik Mujeci rezulton se ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Shkodrës me vendim të datës 27 nëntor 2018, lidhur me akuzën për “vrasje me paramendim” për ngjarjen e ndodhur dy vite më parë, ku mbeti i vrarë Genc Mhilli. Gjykata arsyetoi se nuk provohej përfshirja e tij në këtë vepër penale, duke urdhëruar edhe lirimin e menjëhershëm nga paraburgimi.
Pas këtij vendimi, Mujeci kishte rifituar lirinë dhe lëvizte pa masa sigurie, ndërsa çështja mori zhvillime të mëtejshme në sistemin e drejtësisë. Apeli nuk pranoi ankimimin e Prokurorisë, por më vonë, në tetor 2024, Gjykata e Lartë vendosi prishjen e vendimit të Apelit dhe kthimin e çështjes për rigjykim me një trupë tjetër gjykuese.
I pafajshëm për të njëjtën ngjarje qe shpallur dhe i vëllai Jozefi.
Ndërkohë, pas vrasjes së fundit, hetuesit dyshojnë se pista kryesore mund të jetë ajo e gjakmarrjes, e lidhur pikërisht me konfliktet e së kaluarës. Megjithatë, Policia e Shtetit nuk ka dhënë ende një version zyrtar për motivin, duke theksuar se hetimet janë në vijim dhe po verifikohen të gjitha pistat e mundshme.
Ekzekutimi i çiftit në mes të ditës, në një rrugë të frekuentuar, përforcon dyshimet për një atentat të mirëorganizuar, ndërsa autorët mbeten ende të paidentifikuar dhe në kërkim.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe priten zhvillime të tjera nga hetimet që mund të hedhin dritë mbi motivin dhe autorët e kësaj vrasjeje të dyfishtë.
©️zërionline


