Muzeu Arkeologjik i Durrësit është rihapur zyrtarisht për vizitorët pas përfundimit të rindërtimit të tij, të realizuar pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i nëntorit 2019, në kuadër të projektit europian EU4Culture.


Gjatë inaugurimit, Kryeministri Edi Rama e cilësoi ndërhyrjen si pjesë të një procesi më të gjerë të “ringritjes së madhe” të objekteve të trashëgimisë kulturore në Shqipëri, të mbështetur nga Bashkimi Europian.

Sipas Ramës, muzeu nuk është thjesht restauruar, por është rikrijuar me një koncept të ri muzeal, duke pasuruar linjën ekspozuese dhe duke e ngritur në një nivel më bashkëkohor.
“Ringritja e madhe e shumë objekteve të trashëgimisë kulturore pas tërmetit shkatërrues u bë e mundur falë solidaritetit dhe bashkëpunimit të ngushtë me BE-në. Ne bëmë gjithçka na takonte që, me projektet e duhura, të çojmë përpara një punë transformuese që flet vetë, siç flet edhe pamja e këtij muzeu. Së brendshmi, muzeu është rikrijuar duke pasuruar linjën muzeale dhe duke e sjellë në një nivel të ri. Qëllimi ka qenë që fatkeqësinë ta kthejmë në mundësi për të ndërtuar më mirë, më bukur dhe me objekte më rezistente”, u shpreh Rama.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e investimeve në kulturë, veçanërisht në një periudhë kur Shqipëria synon integrimin në Bashkimin Europian dhe kërkon të rrisë më tej profilin e saj historik dhe turistik.
“Kudo ku tërmeti ka goditur, ajo që është ndërtuar pas flet vetë. Investimi në kulturë është thelbësor për Shqipërinë, një vend jo vetëm turistik, por edhe në rrugën drejt anëtarësimit në BE, që ka nevojë të nxjerrë në pah historinë e vet dhe dëshmitë e shumta që ka në territor”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri nuk la pa përfshirë edhe një reflektim mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian, duke sjellë një ton batute.
“Evropa nuk është gjithmonë pa zemër, por e ka thellë dhe duhet durim dhe vullnet për ta arritur dhe për t’ia ndjerë rrahjet. Është e sigurt që ajo zemër rreh dhe të bëhesh pjesë e saj është misioni ynë”, deklaroi Rama.
Muzeu ka mbi 3000 artefakte të ekspozuara dhe mes tyre objekte mbi 8000-vjeçare.
Nga ana e tij, ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, vlerësoi rëndësinë e kulturës në procesin e integrimit europian dhe zhvillimin e qëndrueshëm lokal.
“Ndërsa Shqipëria ecën përpara në rrugën e saj drejt BE-së, kultura mbetet thelbësore sepse krijon një identitet të përbashkët europian, gjeneron punësim dhe mundësi. Kur trashëgimia bashkohet me artet bashkëkohore dhe industritë kreative, dhe udhëhiqet nga komunitetet lokale, ajo ka fuqinë të krijojë vlera të reja dhe zhvillim të qëndrueshëm”, u shpreh Gonzato.

Ai shtoi gjithashtu se tashmë është momenti që institucionet shqiptare të marrin përgjegjësinë e plotë për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e këtyre hapësirave të restauruara, duke i kthyer ato në qendra të gjalla kulturore.
Programi EU4Culture ka mbështetur deri tani restaurimin e 23 objekteve të trashëgimisë kulturore në Shqipëri, duke kontribuar në ruajtjen e historisë, zhvillimin e turizmit dhe nxitjen e punësimit, veçanërisht për të rinjtë.
Me përmbylljen e këtij projekti në këtë fazë, përgjegjësia për mirëmbajtjen dhe funksionimin e mëtejshëm të këtyre objekteve i kalon institucioneve shqiptare, me synimin që ato të shndërrohen në motorë të zhvillimit kulturor dhe ekonomik në nivel lokal.
Për 15 ditë rresht Muzeu Arkeologjik i Durrësit do të jetë falas për vizitorët e huaj e vendas.


©️zërionline


