Pas shqetësimit qytetar dhe raportimeve të shumta në media lidhur me sigurinë dhe qëndrueshmërinë e disa objekteve në projektin zhvillimor “Durrës Marina”, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit ka reaguar zyrtarisht, duke konfirmuar probleme në dy prej godinave të kompleksit.

Në një deklaratë zyrtare, sot IKMT bën me dije se, me urdhër të Kryeinspektorit, është ngritur një grup i posaçëm inspektimi për verifikimin e situatës në terren. Në këtë proces kanë marrë pjesë inspektorë të IKMT-së, përfaqësues të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, IMT-së së Bashkisë Durrës, si dhe specialistë të Institutit të Ndërtimit.
Kontrollet janë fokusuar në zbatimin e lejes së ndërtimit për dy objekte banimi dhe shërbimi në zonat A02 dhe A04 të projektit, të cilat aktualisht ndodhen në fazën e sistemimeve të jashtme.

Sipas raportit topografik të Institutit të Ndërtimit, rezulton se:
- Objekti 02 ka pësuar ulje prej 28 centimetra;
- Objekti 04 ka pësuar ulje prej 18 centimetra.
Pas këtyre konstatimeve, IKMT njofton se i është drejtuar zyrtarisht kompanisë zbatuese të projektit, duke kërkuar marrjen e menjëhershme të masave teknike për përforcimin e strukturave dhe garantimin e qëndrueshmërisë së objekteve.
Institucioni thekson se projektet e përforcimit duhet të marrin më parë miratimin e autoriteteve përgjegjëse, përpara se të nisë zbatimi në terren.
Në fund të deklaratës, IKMT garanton se do të vijojë mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit në kantieret e ndërtimit, në koordinim me institucionet e tjera shtetërore.
©️zërionline


