Çfarë po ndodh?!
Brenda një kohe të shkurtër, teatri “Aleksandër Moisiu” ka humbur disa nga emrat më të njohur të trupës dhe stafit të tij. Pas largimit të regjisores Driada Dervishi, së fundmi mësohet se dorëheqjen e ka dhënë dhe aktori Gentian Zenelaj dhe pak më parë dhe aktori Amos Mujo Zaharia, duke thelluar edhe më shumë krizën në institucionin artistiko-kulturor të Durrësit.
Largimet nuk ndalen këtu. Muaji i kaluar u shoqërua dhe me dorëheqjet e Julian Shytit dhe Armand Guzinës, përkatësisht një prej specialistëve më me përvojë në institucion dhe shefi i personelit.
Dorëheqjet po kthehen në një zinxhir të pandërprerë dhe vështirë se mund të flitet më për raste individuale. Ato ngrenë pikëpyetje mbi atë që po ndodh në prapaskenën e teatrit të Durrësit.
Burime brenda institucionit flasin për një pakënaqësi në rritje mes trupës profesioniste dhe stafit. Sipas tyre, ndryshimet strukturore, mënyra e menaxhimit dhe ndikimi gjithnjë e më i dukshëm i frymës politike kanë krijuar një situatë që shumë artistë nuk e shohin më të përputhshme me natyrën e një teatri profesionist.
Paralelisht me largimet, edhe riorganizimet e brendshme, pak më të hershme në kohë, kanë shtuar edhe më shumë pakënaqësitë e debatet, po jo produktin artistik. Sektori i Marketingut, Marrëdhënieve me Publikun dhe Arkivës është shkrirë, ndërsa përgjegjësi i këtij sektori u kalua fillimisht në pozicionin e grafistit me një kontratë 3-mujore prove pas më shumë se dy dekadash pune në teatër. Ironikisht, sektori i muzikës qe shkrirë më herët, pas daljes në pension të kompozitorit të njohur durrsak Ylli Ramzoti, në mungesë të një strukture funksionale muzikore dhe me miratimin e bashkisë. Së fundmi, ky sektor u krijua rishtas, duke marrë në varësi jo vetëm muzikën, por edhe marketingun, arkivën dhe marrëdhëniet me publikun.
Në të njëjtën kohë, trupa artistike është reduktuar në aktivitete të fragmentarizuara dhe projekte të cunguara, larg asaj që publiku pret nga një teatër profesionist. Edhe pse flitet për nisjen e përgatitjeve për një shfaqje të re, mësohet se vetë aktorët kanë rezerva për mënyrën se si po funksionon procesi artistik dhe përzgjedhja e materialit.
Në këtë vazhdë qe dhe dorëheqja e aktorit të mirënjohur Zenelaj.
Me një historik të gjatë e të suksesshëm dhe pse me dritëhijet e veta në periudha të ndryshme për shkak të zhvillimeve të forta ekonomiko-sociale që prekën dhe art-kulturën në periudhën e tranzicionit, Teatri i Durrësit me emrin e Moisiut të madh rifitoi shkëlqimin e vet dhe identifikohej me premiera, shfaqje, përfshirë dhe dramën shqiptare; pjesëmarrje të shumta në festivale teatrore dhe një jetë kulturore aktive. Sot, lajmet që dalin prej tij lidhen më shumë me dorëheqje, pakënaqësi dhe ristrukturime sesa me artin në skenë.
Ndërkohë, godina e teatrit vazhdon të jetë në rikonstruksion. Por shqetësimi nuk lidhet më vetëm me cilësinë a vonesat e punimeve. Frika reale është se, kur dyert e teatrit të hapen sërish, ai mund të mos ketë më të njëjtën trupë, të njëjtën frymë dhe të njëjtin identitet artistik që e bëri për dekada një nga institucionet më të rëndësishme kulturore në vend.
Një teatër mund të rindërtohet me beton, po fryma e tij nuk rikthehet aq lehtë.
V. Q.
©ZëriOnline


