Ngjarja e Shkodrës si alarm/ Pse reagojmë me dhunë për çdo konflikt?

Date:

Share post:

Një konflikt i ndodhur pak net më parë pranë Kishës së Madhe në Shkodër mund të kishte përfunduar në një tragjedi me pasoja të rënda për jetën e disa qytetarëve. Gjithçka do të kalonte në heshtje në opinion, si shumë konflikte të tjera, po një video qytetare (ndiqe mëposhtë) e nxorri në pah ngjarjen dhe brutalitetin që mbart.
Pas një përplasjeje verbale dhe fizike me disa persona, një drejtues mjeti ka përplasur me makinë katër persona, duke e çuar konfliktin në një nivel ekstrem dhe të rrezikshëm.

Pamjet e filmuara nga qytetarët, të cilat po i publikojmë bashkë me këtë shkrim, tregojnë jo vetëm momentet e tensionit, por edhe një fenomen shqetësues që vijon të shfaqet shpesh në shoqërinë tonë, humbjen e kontrollit dhe përdorimin e dhunës si përgjigje ndaj çdo konflikti.

Ngjarja e Shkodrës nuk është një rast i izoluar, por ajo i bie sërish këmbanave të alarmit. Quo Vadis?!
Prej kohësh, kronika e zezë raporton raste kur debate të zakonshme për parkimin, kalçeton, qarkullimin rrugor, zënkat në lokale apo konfliktet e momentit përfundojnë me grushte, mjete të forta, armë apo tentativa vrasjeje. Duket sikur kufiri mes debatit dhe dhunës po bëhet gjithnjë e më i hollë.

Specialistët, psikologë e sociologë, e lidhin këtë fenomen me disa faktorë. Stresi dhe presioni ekonomik e social, problemet që mbartin, mungesa e besimit tek institucionet, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj gjuhës së urrejtjes dhe normalizimi i agresivitetit në jetën publike kanë krijuar një klimë ku shumë individë reagojnë me impuls dhe jo me arsyetim.

Në raste të tilla, automjeti, që duhet të jetë një mjet transporti, shndërrohet në armë. Një vendim i marrë në pak sekonda mund të marrë jetë njerëzish dhe të shkatërrojë familje të tëra.
Ajo që pason është një tjetër skenë dhune. Askush nuk mendon të izolojë shoferin deri në mbërritje të policisë, por shpërthejnë në grushta e fyerje ndaj tij. Në mes të qytetit, në prani të shumë qytetarëve të moshave të ndryshme që kalojnë aty. Mes tyre padyshim ka dhe të huaj që zgjedhin vendin tonë për disa ditë pushimi.

Po çfarë mund të bëhet?

Së pari, nevojitet një reagim më i fortë institucional. Çdo akt dhune duhet të hetohet dhe ndëshkohet me seriozitet, në mënyrë që të mos krijohet perceptimi i pandëshkueshmërisë.

Së dyti, duhet investuar më shumë në edukimin qytetar dhe kulturën e dialogut. Shkollat, familja, komunitetet dhe mediat kanë një rol të rëndësishëm në promovimin e respektit dhe zgjidhjes paqësore të konflikteve.

Së treti, është e domosdoshme që vetë qytetarët të reflektojnë mbi mënyrën se si reagojnë në situata tensioni. Një debat, një sharje apo edhe një grusht nuk justifikojnë kurrë përdorimin e një automjeti për të goditur njerëz apo çdo formë tjetër të dhunës ekstreme.

Ngjarja e Shkodrës duhet të shërbejë si një alarm. Jo vetëm për institucionet, por për të gjithë shoqërinë. Sepse kur konfliktet e zakonshme zgjidhen me forcë dhe jo me ligj e arsye, rreziku nuk është vetëm për personat e përfshirë në atë moment, por për sigurinë e secilit prej nesh.

Hetimet pritet të zbardhin përgjegjësitë konkrete të kësaj ngjarjeje, megjithatë, problemi që ajo nxjerr në pah është shumë më i madh se një konflikt i vetëm. Është sfida e një shoqërie që duhet të frenojë normalizimin e agresivitetit para se ai të prodhojë tragjedi të tjera.

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Banorët e Rrjollit shembin gardhin e Bashkim Ulajt; tensione dhe përplasje

Me qindra banorë të Rrjollit, të mbështetur edhe nga qytetarë të zonave të tjera, nën thirrjet ‘Rama n’burg,...

Nafta dhe benzina me çmime të reja sot nga ora 14:00

Bordi i Transparencës ka përcaktuar çmimet e reja tavan për tregtimin e karburanteve në vend, të cilat hyjnë...

As bora, as jeta, nuk përballohen vetëm. Kërko ndihmë!

Tek ne, kur një punë është shumë e madhe për një njeri, zakonisht kemi vetëm dy zgjidhje. Ose...

Dyshohet se u dhunua nga policia greke 13 ditë më parë, 29-vjeçari paraqitet në spitalin e Korçës me dëmtime në trup

Mbrëmjen e djeshme në urgjencën e spitalit të Korçës është paraqitur një 29 vjeçar me dëmtime në trup. Sipas...