Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për vrasjen e 45-vjeçarit Valter Lleshi, i cili u ekzekutua me armë zjarri mëngjesin e së hënës përgjatë rrugës Reps-Spaç.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se pista kryesore ku janë fokusuar hetimet është ajo e gjakmarrjes, për shkak të një konflikti të vjetër që dyshohet se lidhet me viktimën.
Sipas të njëjtave burime, rreth gjashtë vite më parë Lleshi është dyshuar si autor i vrasjes së shtetasit Anton Keli në Rrëshen. Hetuesit po verifikojnë nëse ekzekutimi i ndodhur këtë mëngjes mund të ketë lidhje me atë ngjarje dhe me konflikte të mbartura vitet e fundit.

45-vjeçari u gjet i pajetë brenda automjetit tip “Toyota”, me të cilin po udhëtonte drejt vendit të punës. Ai ishte punonjës i një kompanie që merret me nxjerrjen dhe përpunimin e bazaltit në zonën e Mirditës.
Ndërkohë, grupi hetimor po administron prova nga vendi i ngjarjes dhe po merr në pyetje persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e krimit. Policia nuk ka ende persona të ndaluar, ndërsa vijojnë kërkimet për identifikimin e autorit ose autorëve.
Pavarësisht fokusimit te pista e gjakmarrjes, hetuesit bëjnë me dije se asnjë pistë nuk është përjashtuar në këtë fazë të hetimeve.
©ZëriOnline


