Siguria ushqimore, kontrolli i çmimeve dhe garantimi i furnizimit me ujë të pijshëm vijojnë të mbeten ndër sfidat kryesore të sezonit turistik në vend. Këto problematika u diskutuan në Konferencën Kombëtare të Turizmit, të organizuar në Durrës nga Inspektoriati i Përgjithshëm, ku përfaqësues të institucioneve dhe operatorëve turistikë ngritën shqetësimet dhe pritshmëritë për sezonin veror 2026.

Përfaqësuesit e biznesit turistik kërkuan një qasje më bashkëpunuese nga institucionet mbikëqyrëse, duke sugjeruar që kontrollet kryesore të inspektoriateve të zhvillohen gjatë periudhës janar-maj, përpara nisjes së fluksit të turistëve. Ata ngritën gjithashtu shqetësime për vonesat në proceset e dezinfektimit, problemet me ujin që janë shfaqur në plazh 2-3 ditët e fundit, ndërsa denoncuan rastet e gjobave të konsideruara të larta dhe rryshfetin e inspektorëve në përpjekje për shmangien e tyre. Këto shqetësime u ngritën nga Rrahman Kasa i Unionit Turistik Shqiptar, Fatos Çerenishti, Ndriçim Domi, Blerim Norja e të tjerë.

Nga ana tjetër, Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, deklaroi se kontrollet në terren janë shtuar ndjeshëm krahasuar me një vit më parë, duke theksuar se garantimi i standardeve është një element kyç për imazhin e vendit si destinacion turistik.
“Sezoni turistik është një provë e përvitshme për institucionet tona, por njëkohësisht edhe një mundësi për të treguar kapacitetin e shtetit për të garantuar siguri, standarde dhe besim”, u shpreh Sula, pasi bëri një panoramë të punës së inspektoriateve.
Shqetësuese mbeten edhe raportimet e turistëve të huaj për abuzime me çmimet. Sipas Edison Konomit, drejtues i Inspektoriatit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, është vërejtur rritje e ankesave që lidhen me mospërputhjet mes çmimeve të afishuara në menu dhe atyre të aplikuara në momentin e pagesës, si dhe me praktika të tjera të padrejta tregtare.
Ndërkohë, zv.ministrja e Turizmit Marinela Prifti raportoi një rritje të ndjeshme të vizitorëve gjatë muajve të parë të vitit. Sipas të dhënave zyrtare, në periudhën janar-maj 2026 vendi është vizituar nga 3.7 milionë turistë, ndërsa vetëm gjatë muajit maj janë regjistruar mbi 1.14 milionë vizitorë, ose 16 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Për sezonin veror 2026, në dispozicion të pushuesve do të jenë 2.4 kilometra katrorë sipërfaqe publike plazhesh, të shpërndara në 1,027 parcela publike në të gjithë vendin. Institucionet dhe operatorët turistikë vlerësuan se vetëm përmes bashkëpunimit dhe respektimit të standardeve mund të garantohet një sezon i suksesshëm dhe një përvojë pozitive për turistët vendas e të huaj, ndërkohë që problematikat nuk mungojnë dhe presin zgjidhje.


