Situata ekonomike e Shqipërisë mund të vlerësohet përmes analizës së disa treguesve kyç, duke përfshirë eksportet, importet dhe deficitin tregtar. Të dhënat më të fundit nga INSTAT për periudhën janar – korrik 2024 ofrojnë një pamje të qartë të zhvillimeve ekonomike të vendit.
Sipas shoqatës Proeksport, që i referohet të dhënave të Instat, eksportet e mallrave gjatë kësaj periudhe kanë shënuar një rënie të ndjeshme prej -14% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo ulje sinjalizon sfida të konsiderueshme për prodhimin dhe konkurrencën e mallrave shqiptare në tregjet ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, importet kanë pësuar një rritje modeste prej +3.2% në krahasim me një vit më parë. Kjo rritje tregon një kërkesë të vazhdueshme për mallra të huaja, por gjithashtu sugjeron se prodhimi vendas nuk po arrin të plotësojë kërkesën e brendshme.
Një tjetër tregues shqetësues është rritja e deficitit tregtar. Në korrik 2024, ky deficit u rrit me +59.6% në krahasim me korrikun e vitit 2023 dhe me +24.3% në krahasim me qershorin e këtij viti. Rritja e deficitit tregon një disbalancë në tregtinë e jashtme, ku Shqipëria po importon më shumë se sa eksporton.

Pak të dhëna tregojnë se ekonomia shqiptare po përballet me sfida të mëdha, ku prodhimi vendas nuk po mban ritmin e kërkesës, për një sërë faktorësh. Kjo, përfshirë dhe situatën e vështirë me të cilën prej muajsh përballet sektori fason, që ka reduktuar volumet e punës dhe fuqinë punëtore, po tkurrin ndjeshëm eksportet.
©️zërionline


