Pas një gare të fortë e me mjaft rivalitet midis pesë studiove prestigjioze të arkitekturës në botë, juria ndërkombëtare ka shpallur projekt-idenë fituese për masterplanin e kampusit të ri të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Vizioni që do të transformojë rrënjësisht një prej hapësirave më të rëndësishme akademike në vend mban firmën e studios së njohur 51N4E, në bashkëpunim me JESHILE Landscape Design dhe arkitekten e fotografen Blerta Kambo.


Në këtë garë historike për qytetin bregdetar, ku u prezantuan propozime për një kampus modern, funksional dhe të orientuar drejt së ardhmes, studioja fituese arriti të bindë jurinë e nivelit të lartë, ku merrnin pjesë Kryeministri Edi Rama, Rektori Shkëlqim Fortuzi, Kryebashkiakja Emiriana Sako, krerët e AKPT-së dhe AZHT-së, arkitektë me famë botërore si Christian Kerez e Wilfried Kuehn, si dhe, për herë të parë, një juri studentore.
Emocionet e fituesve: “Një projekt pragmatik, por edhe në kufijtë e guximit”
Pas shpalljes së fituesit, anëtarët e ekipit të studios 51N4E nuk i fshehën emocionet dhe përgjegjësinë e madhe që mbart ky projekt.
Ekipi fitues e konsideroi vlerësimin unanim të jurisë një investim i drejtpërdrejtë për brezin e ri:
“Është një nder i madh të kemi fituar këtë kompeticion, sepse mendojmë se është një program shumë i rëndësishëm për të investuar në një farë mënyre tek një gjeneratë e re; për të investuar në një vend që mund të shndërrohet në një shembull”, u shpreh ai, duke pranuar se projekti i tyre ishte mjaft i guximshëm.
“Kemi pasur shumë dyshime nëse një projekt që merr vendime të cilat janë aq pragmatike, por edhe paksa ‘në kufi’ (guximtare), do të thonim ne, nëse ky projekt do të përzgjidhej. Prandaj, jemi vërtet të lehtësuar dhe shumë entuziastë… Besimin që keni vendosur tek ne për ta zhvilluar këtë projekt, bazuar në parimet që kemi paraqitur, ne e vlerësojmë vërtet me zemër.”

“Një plan për qindra vitet e ardhshme”
Nga ana tjetër, anëtari i dytë i ekipit vuri theksin te rëndësia e kohës dhe te shmangia e gabimeve urbanistike që kanë ndodhur më parë në Shqipëri, duke marrë si pikë referimi zhvillimin e kryeqytetit:
“Ne kemi një dritare mjaft të vogël mundësish për të bërë diçka. Dhe duke qenë se kjo zonë nuk është ende shumë e zhvilluar, ky është vërtet momenti i duhur për të krijuar një plan që mund të hedhë themelet e një modeli për qindra vitet e ardhshme.”, tha njëri nga arkitektët e ekipit fitues.
Arkitekti belg shtoi se projekti ka analizuar me kujdes rritjen demografike dhe urbane në rajon: *”Duke parë pak eksperiencën se si Tirana u rrit në të kaluarën, qëllimi është që ndoshta të mos bëjmë të njëjtat gabime. Kështu që, kjo është shumë guximtare në një farë mënyre. Puna që na pret është e madhe, por unë kam besim të plotë se do t’ia dalim.”
Një hap i madh drejt kampusit të së nesërmes
Gara e sotme shënon një moment kthese për Universitetin “Aleksandër Moisiu”. Masterplani i ri nuk do të jetë thjesht një projekt ndërtimi apo godinash të reja, por një transformim rrënjësor i jetës studentore, cilësisë së arsimit të lartë dhe zhvillimit urban të të gjithë qytetit të Durrësit.
Mposhtja e gjigantëve të tjerë të arkitekturës si “Bjarke Ingels Group (BIG)”, “FRPO”, “OZ Architects” apo “PRÁCTICA”, tregon se vizioni i 51N4E dhe partnerëve të tyre shqiptarë ka sjellë gërshetimin mes guximit arkitekturor, peizazhit natyror dhe nevojave pragmatike të studentëve të së nesërmes.
©ZëriOnline


