Një video e publikuar në rrjetet sociale, ku tre adoleshente ushtrojnë dhunë ndaj një 17-vjeçareje në Fier, rikthen në vëmendje një fenomen gjithnjë e më shqetësues: dhunën mes të rinjve dhe rolin e institucioneve në parandalimin e saj.
Ngjarja ka ndodhur më 8 qershor, por u bë publike vetëm dje, pas publikimit të pamjeve, të cilat kanë shkaktuar reagime të shumta. Sipas Policisë, rasti është referuar në Prokurori një ditë pas denoncimit të bërë nga prindërit e vajzës së dhunuar. Tre vajzat e përfshira, të moshës 15 deri në 19 vjeç, po hetohen në gjendje të lirë.
Në video shfaqen momente të rënda, ku 17-vjeçarja goditet vazhdimisht, ndërsa dëgjohet duke u kërkuar agresoreve të ndalojnë. Njëra prej tyre filmon gjithë episodin, ndërsa nxit dhunën, një element që ka shtuar edhe më shumë shqetësimin për normalizimin e akteve të tilla mes të rinjve.
Sipas informacioneve paraprake, vajza ishte ftuar në një banesë me pretekstin për të sqaruar një debat, por takimi u shndërrua në një sulm të organizuar fizik.
Familjarët e 17-vjeçares pretendojnë se, megjithëse ngjarja u denoncua menjëherë, reagimi institucional nuk ishte në nivelin e pritshmërive. Sipas tyre, rasti mori vëmendje të gjerë vetëm pasi pamjet u përhapën në rrjetet sociale.
Nëna e vajzës ka deklaruar se e bija ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike dhe se familja jeton me frikë edhe për sigurinë e fëmijëve të tjerë.
Rasti mban hapur debatin mbi dhunën mes të miturve, ndikimin e rrjeteve sociale në përhapjen dhe promovimin e saj, si edhe nevojën për reagim më të shpejtë nga institucionet, shkollat dhe shërbimet sociale. Ndërkohë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
©ZëriOnline


