Zbardhja me vonesë e vendimeve gjyqësore nga gjyqtarët mban peng përfitimin e të dënuarve nga amnistia. Ankesa vjen nga vetë të dënuarit, të cilët i janë drejtuar Avokatit të Popullit, ku i shpjegojnë se po zvarriten pavarësisht se ligji i amnistisë 2026, për të shmangur një ngërç të tillë, përfshin edhe rastet kur vendimet nuk janë arsyetuar.
Këtu përfshihen shtetasit që ishin nën gjykim dhe vendimi ndaj tyre u shpall brenda datës 31 maj, ndërsa i dënuari ka të drejtën të heqë dorë nga apeli kur krimi që ka kryer është mes veprave të amnistuara.
Para se ligji të hynte në fuqi, ishte parashikuar që të mbyllen me falje gati 10 mijë raste, kryesisht aksidente pa pasojë, drejtim mjeti në gjendje të dehur, ndërtimet pa leje dhe kundërvajtjet.
Në udhëzimin e firmosur nga Prokurori i Përgjithshëm O. Çela, prokurorëve u kërkohet që të vendosin ose të pushojnë akuzat penale, ose të mos fillojnë procedimet mbi kallëzimet për veprat e ndodhura deri në datën 31 maj dhe që përfshihen nga amnistia. Bëhet fjalë për krime që parashikojnë dënim deri në 3 vjet burg, me përjashtim të subjekteve që nuk përfitojnë.
Në udhëzimin e Prokurorit të Përgjithshëm, prokurorëve u kërkohet edhe mbyllja e çështjeve që përfshihen në amnisti, por që janë pezulluar më herët për shkak të mosgjetjes së autorëve.
Nuk ka një numër se sa është shifra e çështjeve që amnistohen me këtë udhëzim, por ai do të ulë ngarkesën e organit të akuzës në të gjithë vendin.
Pritet që në shtator drejtuesit e të gjitha prokurorive të informojnë Prokurorin e Përgjithshëm për numrin e shtetasve përfitues, çështjet e mosfilluara, të pushuara në hetim dhe gjatë gjykimit.
©ZëriOnline


