Një atentat i dyshuar është parandaluar në sekondat e fundit në Elbasan, ku Ermir Kërtezi (Bitoci), 50 vjeç, i shpëtoi një sulmi me armë zjarri pasi pistoleta që i ishte drejtuar në kokë dyshohet se nuk funksionoi.
Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 13:00 të kësaj të shtune, në një lokal të njohur të qytetit, “Art Coffee Bistro”. Pamjet e kamerave të sigurisë, së bashku me dëshmitë e personave që ndodheshin në ambient, po ndihmojnë grupin hetimor për të ndërtuar hap pas hapi atë që ndodhi, ndërsa policia bën me dije se është arrestuar autori i dyshuar i identifikuar si Poli Boriçi 52 vjeç.

Në pamjet filmike, Bitoci shfaqet brenda lokalit, i ulur në tavolinë dhe i veshur me bluzë të zezë. Pas disa momentesh, ai ngrihet dhe largohet nga ambienti.
Por lëvizjet e tij duket se janë ndjekur nga një tjetër person, i dyshuar si P. Boriçi, i cili ndodhej në lokal duke konsumuar kafe në shoqërinë e një gruaje që qëndron e qetë dhe pas largimit të tij.
Pak çaste pasi Bitoci del jashtë lokalit, edhe personi tjetër largohet dhe e ndjek nga pas. Sipas dinamikës së fiksuar nga kamerat, jashtë lokalit ai i afrohet Bitocit dhe i vendos një armë zjarri në pjesën e pasme të kokës.
Në këtë moment ndodh ajo që mund të ketë shmangur një tragjedi. Bitoci reagon menjëherë dhe arrin të largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Pritet të verifikohet ndërkohë dyshimi se pistoleta, e sekuestruar tashmë, është bllokuar pikërisht në momentin kur personi ka tentuar të qëllojë. Nëse kjo rrethanë konfirmohet nga ekspertiza balistike, ajo do të jetë një prej elementeve kryesore për të përcaktuar nëse ngjarja përbën një tentativë të drejtpërdrejtë për vrasje.
Kamerat e sigurisë së lokalit kanë regjistruar lëvizjet e personave të përfshirë para dhe pas incidentit, ndërsa grupi hetimor po merr në pyetje edhe personat që ndodheshin në lokal.
Një nga pikëpyetjet kryesore mbetet motivi. Përse Bitoci është ndjekur dhe çfarë qëndron pas sulmit me armë është ende nën hetim.
Emri i Bitocit është përmendur ndër vite në kronikat e Elbasanit dhe në lidhje me episode të periudhës 1997-2000, ndërsa më pas ai ka jetuar kryesisht jashtë vendit.
Hetimi vijon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes.
©ZëriOnline


