Një lindje e papritur është shënuar në urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës, ku një grua shtatzënë u paraqit për ndihmë mjekësore, duke qenë se kjo ishte struktura spitalore më e afërt.
Edhe pse Spitali i Traumës nuk është strukturë e specializuar për lindje, mjekët reaguan menjëherë për t’i dhënë ndihmën e nevojshme nënës dhe foshnjës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, falë koordinimit mes ekipeve mjekësore të Spitalit Universitar të Traumës dhe Spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, ndërhyrja u realizua në kohë.
Gruaja solli në jetë foshnjën dhe, sipas ministrisë, si nëna ashtu edhe i porsalinduri gëzojnë shëndet të plotë.
Rasti tregon edhe një herë rëndësinë e reagimit të shpejtë dhe bashkëpunimit mes strukturave shëndetësore, sidomos në situatat kur një urgjencë kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
©ZëriOnline


