Situata e zjarreve vijon të mbetet problematike në disa zona të vendit. Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, deri në orën 14:00 të 23 gushtit 2026 janë raportuar gjithsej 15 vatra, prej të cilave 7 janë ende aktive dhe 8 ndodhen nën mbikëqyrje.
Situata më shqetësuese paraqitet në Krastë të Krujës, ku vatra e zjarrit ka intensitet dhe ndodhet pranë zonave të banuara. Në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Krujës, të mbështetura nga ekipet e Kamzës dhe Vorës, ndërsa ndërhyrja po kryhet edhe nga ajri me një helikopter.
Vatra aktive në disa qarqe
Operacionet vijojnë edhe në Malin e Dajtit, ku janë angazhuar 15 zjarrfikës dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga një helikopter. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në këtë zonë nuk ka rrezik për banesat.
Në Qafë të Helmes, në Bulqizë, 11 efektivë të shërbimit zjarrfikës po punojnë për kontrollin e dy vatrave aktive në sipërfaqe pyjore.
Në Tenë të Mirditës, situata raportohet e stabilizuar, ndërsa në terren vijojnë të punojnë 27 forca të shërbimit zjarrfikës, Shërbimit Pyjor dhe bashkisë. Në Shtuf, vatra ka intensitet të ulët dhe po mbahet nën monitorim nga strukturat vendore.
Ndërhyrja vijon edhe në Prozhem të Pukës, ku në operacion janë përfshirë tre mjete zjarrfikëse, 15 efektivë, 13 forca të Shërbimit Pyjor, banorë të zonës dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në Malin e Çikës, mbi Palasë, operacioni për shuarjen përfundimtare të zjarrit po mbështetet nga dy avionë Air Tractor.
213 forca të angazhuara në operacione
Në total, në operacionet për shuarjen dhe kontrollin e zjarreve janë angazhuar 213 forca, prej të cilave 153 forca operacionale dhe 60 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në dispozicion të operacioneve janë 10 mjete zjarrfikëse, një ekskavator i rëndë me zinxhir, dy helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.
Ndërkohë, situata në zonën Gojan–Gjegjan është përmirësuar ndjeshëm. Sipas autoriteteve, vatrat janë izoluar ose shuar dhe zona vijon të mbahet nën monitorim.
Të dhënat i referohen përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes deri në orën 14:00 të 23 gushtit 2026.
©ZëriOnline


