Elvis Kosova, i njohur ndryshe si “Vis Kosova”, ka rënë në prangat e policisë. Ai është arrestuar në zonën e Palasës, pasi dyshohet se është kapur duke mbajtur armë zjarri pa leje.
Mësohet se Elvis Kosova i njohur ndryshe si ‘Visi i garave’ është arrestuar pas një operacioni poLicor nga forcat RENEA.
Policia është sinjalizuar për vendndodhjen e tij pasi është denoncuar nga partnerja, e cila ka pretenduar se është dhunuar nga ai.
Kosova është një emër i njohur për autoritetet, ndërsaka tërhequr vëmendje për pasionin ndaj automjeteve luksoze dhe shpejtësisë. Ai ushtron aktivitet në fushën e shitblerjes së makinave.
Ai ka pasur edhe më herët përballje me drejtësinë. Në gusht të vitit 2024, Kosova u ndalua për një çështje që lidhej me një Audi R8 me vlerë rreth 200 mijë euro, automjet që ishte sjellë nga Gjermania nga një shtetas turk dhe që, sipas hetimeve të asaj kohe, dyshohej se ishte përvetësuar përmes mashtrimit. Për këtë rast u arrestua edhe shtetasi turk Yucehan Er.
Kosova ka qenë gjithashtu objekt i një sulmi me eksploziv. Një sasi lënde plasëse iu vendos në hyrje të garazhit të tij në zonën e Liqenit të Thatë, në Tiranë.
Emri i tij doli në skenë edhe pas atentatit të rëndë në Rinas, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, ndërsa Muçi Shaljani (Sheqeri), i cili ndodhej me të, mbeti i plagosur rëndë dhe më pas humbi jetën.
Pas ngjarjes u raportua se automjeti tip “Mercedes-Benz”, me të cilin udhëtonin Dani dhe Shaljani, lidhej me Kosovën. Ky i fundit reagoi në atë kohë duke mohuar çdo lidhje me atentatin dhe duke sqaruar se makina ishte në pronësi të kompanisë.
“As nuk e mbaj mend ta kem pasur ndonjëherë këtë makinë. Nuk është në emrin tim fare, është në emër të kompanisë. Sa makina hyjnë e dalin nga kompanitë e mia, s’di, s’kam fjalë me këto. Zot na ruaj”, shkruante Kosova në rrjetet sociale.
Tashmë, emri i tij rikthehet në vëmendje pas arrestimit në Palasë për armëmbajtje pa leje, ndërsa priten detaje të mëtejshme mbi rrethanat e ndalimit.
©ZëriOnline


