Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e kësaj të hëne fshatin Zhymë të Lushnjës, ku një 80-vjeçare ka humbur jetën dhe bashkëshorti i saj, 77 vjeç, është plagosur rëndë.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:15, kur 45-vjeçari Florion Dalladaku dyshohet se ka goditur me sqepar nënën e tij, Fanije Dalladaku. E moshuara ka marrë plagë të rënda dhe nuk ka mundur të mbijetojë.
Gjatë ngjarjes është plagosur rëndë edhe babai i 45-vjeçarit, Hasani, 77 vjeç, i cili është transportuar në spital ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Pas krimit, autori i dyshuar është larguar nga banesa, ndërsa policia ka nisur kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij. Paraprakisht dyshohet se 45-vjeçari ka probleme të shëndetit mendor.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të kësaj ngjarjeje të rëndë brenda familjes.
©ZëriOnline


