Detaje të reja janë zbardhur nga mediat greke lidhur me marrëdhënien mes 45-vjeçares shqiptare Julieta Obzova dhe 48-vjeçarit Altin Allmuça, i cili e vrau atë në Nea Smyrni të Athinës dhe më pas i dha fund jetës.
Sipas raportimeve të mediave greke, 45-vjeçarja i kishte rrëfyer motrës së saj se ishte ndarë nga Allmuça për shkak të xhelozisë së tij. Ajo kishte deklaruar gjithashtu se 48-vjeçari vazhdonte të këmbëngulte për të vijuar lidhjen, pavarësisht ndarjes.
45-vjeçarja kishte shprehur edhe frikën që ndjente ndaj ish-partnerit të saj, duke treguar se situata mes tyre ishte bërë shqetësuese.
Ngjarja e rëndë ndodhi natën kur Obzova ndodhej e vetme në banesën e saj në Nea Smyrni. Në momentin e krimit, vajza e saj nuk ishte në Athinë, pasi kishte udhëtuar drejt Agrinios së bashku me xhaxhain e saj.
Pak kohë më pas, autoritetet greke u përballën me një skenë të rëndë, pasi Allmuça, pas vrasjes së 45-vjeçares, kreu vetëvrasje.


