Policia e Fierit ka marrë dëshminë paraprake të 45-vjeçarit Florjan Dalladaku, i dyshuar për sulmin ndaj prindërve të tij në fshatin Zhym, ku humbi jetën nëna e tij 80-vjeçare dhe u plagos rëndë babai 77-vjeçar.
Mësohet se gjatë marrjes në pyetje, komunikimi me 45-vjeçarin ka qenë i vështirë, pasi ai nuk ka reaguar normalisht dhe në vend të përgjigjeve ka bërë gjeste të pakuptimta.
Gjithashtu mësohet se në automjetin tip “Ford”, me të cilin dyshohet se Dalladaku po largohej pas ngjarjes, është gjetur një çantë me medikamente antidepresive. Hetuesit dyshojnë se ilaçet përdoreshin nga 45-vjeçari, por mbetet për t’u përcaktuar zyrtarisht gjendja e tij shëndetësore dhe nëse ajo ka lidhje me ngjarjen.
Policia po mbledh ndërkohë dëshmitë e të afërmve të familjes Dalladaku, me qëllim për të kuptuar nëse mes prindërve dhe djalit të tyre kishte pasur më herët konflikte apo probleme që mund të ndihmojnë në përcaktimin e motivit. Deri në këtë fazë të hetimeve, motivi i sulmit mbetet i paqartë.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës në fshatin Zhym të Fierit. Sipas të dhënave paraprake, në banesë në momentin e sulmit ndodheshin vetëm 45-vjeçari dhe prindërit e tij. Dalladaku dyshohet se i sulmoi ata me një sqepar, duke i shkaktuar plagë fatale nënës 80-vjeçare dhe duke plagosur rëndë të atin, 77 vjeç.
©ZëriOnline


