Pamje që duken si skena apokaliptike vijnë nga Nepali, ku përmbytjet katastrofike kanë shkaktuar të paktën 157 viktima dhe kanë lënë qindra persona të zhdukur.
Ujëra të furishme, baltë dhe gurë kanë përfshirë zona të tëra në veri të vendit, pranë kufirit me Tibetin. Lumi Bhote Koshi doli nga shtrati, duke marrë përpara ura, rrugë, automjete, banesa dhe objekte infrastrukturore.
Distrikti Rasuwa është ndër zonat më të goditura. Qindra persona vijojnë të jenë të zhdukur, ndërsa mes tyre ka edhe turistë e shtetas të huaj që ndodheshin në këtë pjesë të Nepalit.
Ekipet e kërkim-shpëtimit, të mbështetura nga ushtria dhe policia, po kërkojnë të mbijetuarit mes rrënojave dhe baltës. Operacioni zhvillohet në kushte të vështira, pasi rrugët, urat janë dëmtuar dhe disa zona mbeten të izoluara.
Shkaku i saktë i përmbytjes vijon të hetohet, ndërsa deklarohet për një tërmet në Tibet. Por ekspertët dyshojnë dhe për një shembje masive akulli dhe shkëmbinjsh që mund të ketë shkaktuar vërshimin e menjëhershëm të ujërave.
Katastrofa ka prekur edhe Tibetin, ku janë raportuar viktima dhe persona të zhdukur nga rrëshqitjet masive të dheut.
Me bilancin që vijon të rritet dhe qindra njerëz ende të zhdukur, Nepali po përballet me një nga katastrofat më të rënda të viteve të fundit.
©ZëriOnline


