Një 67-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Burrel, pasi dyshohet se ka dhunuar dhe kanosur bashkëshorten e tij. Ndërhyrja e policisë ka ardhur pas njoftimit për një konflikt familjar në një banesë të qytetit.
Sipas Policisë, efektivët e Komisariatit të Matit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë neutralizuar situatën, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Pas verifikimeve, policia arrestoi shtetasin B. K., 67 vjeç, banues në Burrel, pasi rezultoi se kishte dhunuar dhe kanosur bashkëshorten.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, efektivët gjetën edhe një armë zjarri automatike, dy krehra dhe 55 fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme.
©ZëriOnline


