Momente paniku për një familje që po lundronte në brigjet e Spillesë, pasi skafi me të cilin udhëtonin pësoi defekt në motor, u mbush me ujë dhe rrezikoi të fundosej.
Ngjarja u regjistrua gjatë monitorimit të hapësirës detare, rreth një milje larg bregut, në drejtim të Farsilukës. Pas marrjes së njoftimit se një mjet lundrues kishte nevojë për ndihmë, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare u nisën menjëherë drejt tij.
Në skaf ndodheshin 8 persona, drejtuesi dhe 7 familjarë të tij. Mjeti kishte pësuar një defekt në motor dhe, si pasojë, kishte nisur të mbushej me ujë.
Efektivët ndërhynë për të shmangur fundosjen e skafit, duke e tërhequr atë drejt bregut dhe duke e nxjerrë në Karpen.
Të tetë personat rezultuan në gjendje të mirë shëndetësore.
Nga verifikimet e kryera më pas rezultoi se skafi kishte dokumentacion të rregullt, ndërsa drejtuesi ishte i pajisur me leje drejtimi.
©ZëriOnline


