Prej më shumë se 24 orësh, situata e krijuar nga zjarret në zonën e Trodhenes, në Njësinë Administrative Ulëz të Bashkisë Mat, vijon të mbetet kritike.
Në zonë janë aktive tre vatra zjarri. Pavarësisht angazhimit të forcave në terren dhe ndërhyrjes nga ajri gjatë ditës së djeshme, deri më tani nuk është bërë i mundur izolimi i flakëve.
Era e fortë, temperaturat e larta dhe terreni i vështirë malor kanë favorizuar përhapjen e shpejtë të zjarrit, duke bërë që situata të dalë jashtë kontrollit.
Sipas informacioneve të marra nga terreni, disa banesa në fshatin Lundre janë të rrezikuara, pasi flakët po përhapen në drejtim të tyre, si nga zona e Trodhenes, ashtu edhe nga Lundreja.
Terreni i vështirë e bën pothuajse të pamundur ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse. Ndërkohë, punonjësit e Bashkisë Mat, forcat zjarrfikëse dhe punonjësit e shërbimit pyjor po vijojnë përpjekjet në terren për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
©ZëriOnline


