Problemi me pagat në sistemin e drejtësisë ka sjellë bojkotin e parë nga administrata gjyqësore. Punonjësit dhe sekretarët e Dhomës Civile të Gjykatës së Tiranës kanë bllokuar shërbimet, në pritje të pagave të muajit gusht dhe një sqarimi për situatën. Administrata, e cila nuk preket nga rritja e pagave, ka njoftuar kryetarin e gjykatës. Punonjësve u është bërë me dije se një qëndrim pritet pas mbledhjes së kryetarëve të gjykatave, që zhvillohet sot në orën 15:00 në Gjykatën e Lartë.Ndërkohë, për situatën e pagave do të zhvillohet një takim edhe në sistemin e prokurorisë. Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka thirrur drejtuesit e prokurorive të rretheve, Shoqatën e Prokurorëve dhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Takimet do të zhvillohen pa praninë e mediave. Situata u krijua pasi Kuvendi nuk miratoi brenda 31 korrikut formulën e re të pagave të magjistratëve, pas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese.Në mungesë të një zgjidhjeje ligjore, KLGJ dhe KLP përcaktuan një pagë të re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.
Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat me rritjen e re, duke argumentuar se përcaktimi i formulës është kompetencë e Kuvendit.
Për pasojë, pagat e gushtit nuk janë ekzekutuar për gjyqtarë, prokurorë dhe administratën e gjykatave e prokurorive.
Në Durrës, administrata vijon punën normalisht dhe pse nuk i ka marrë pagat e muajit gusht.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se “dera e Thesarit të Shtetit” nuk mund të hapet me forcë, ndërsa ministri i Drejtësisë Toni Gogu, ka paralajmëruar se ngërçi do të zgjidhet në Kuvend.
©ZëriOnline


