Ka humbur jetën gjatë transportimit drejt Tiranës 45-vjeçari Beqir Devolli, i njohur edhe si Çilo, i cili mbeti i plagosur nga shpërthimi i automjetit të tij mbrëmjen e së shtunës në Gjirokastër.
Devolli ishte drejtuesi i automjetit tip “Benz”, që shpërtheu rreth orës 22:00 në bulevardin “18 Shtatori”, teksa ishte në lëvizje. Si pasojë e shpërthimit, mbeti i plagosur edhe pasagjeri Erigers Mela, 26 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Sipas Policisë, dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga lëndë plasëse. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj dhe identifikimin e kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar, si dhe motivet e ngjarjes.
Hetimet pritet të hedhin dritë mbi shkakun e shpërthimit dhe rrethanat në të cilat automjeti u bë objekt i tij, duke i marrë jetën pronarit të mjetit dhe dëmtuar 26-vjeçarin.


