Bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, ka paralajmëruar se kërcënimi më i afërt nga inteligjenca artificiale nuk lidhet me mundësinë që kjo teknologji të dalë jashtë kontrollit, por me shfrytëzimin e saj nga individë me qëllime keqdashëse për sulme kibernetike dhe aktivitete të tjera të rrezikshme.
Gjatë një interviste të dhënë të dielën për ABC News, Gates u ndal te rreziqet që mund të sjellë zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale. Ai pranoi se skenarët ku sistemet e avancuara mund të dalin jashtë kontrollit dhe të shkaktojnë pasoja serioze mbeten një shqetësim për të ardhmen, por theksoi se aktualisht vëmendja duhet të përqendrohet te keqpërdorimi i teknologjive që janë tashmë në dispozicion.
“Fusha ku ka më shumë gjasa të shohim zhvillimet më dramatike gjatë vitit të ardhshëm janë sulmet kibernetike”, deklaroi Gates.
Sipas tij, një nga shqetësimet kryesore është mundësia që persona me qëllime të dëmshme të përdorin modele të inteligjencës artificiale, veçanërisht ato në të cilat mekanizmat mbrojtës mund të çaktivizohen ose të anashkalohen.
Gates theksoi rëndësinë e vendosjes së kontrolleve dhe kufizimeve më të forta, me qëllim parandalimin e përdorimit të inteligjencës artificiale në veprimtari të rrezikshme, përfshirë bioterrorizmin dhe sulmet ndaj rrjeteve e sistemeve kompjuterike.
Ai paralajmëroi se ndërthurja e teknologjive gjithnjë e më të avancuara me mungesën e masave të sigurisë dhe përdorimin e tyre nga individë keqdashës mund të krijojë rreziqe serioze në një periudhë relativisht të shkurtër.
“Kur bashkohen persona keqdashës, mungesa e mekanizmave të sigurisë dhe modelet më të avancuara, atëherë, gjatë vitit të ardhshëm dhe veçanërisht në fushën kibernetike, mund të përballemi me shumë surpriza të pakëndshme”, u shpreh ai në intervistën për ABC News.
Megjithëse nuk përmendi raste konkrete apo sulme të mundshme, bashkëthemeluesi i Microsoft nënvizoi domosdoshmërinë e marrjes së masave parandaluese për të përballuar sfidat që sjell përparimi i shpejtë i inteligjencës artificiale.
Në të njëjtën intervistë, Gates shprehu gjithashtu kundërshtimin e tij ndaj idesë se kompanitë që zhvillojnë sisteme të inteligjencës artificiale mund të sigurojnë të vetme mbrojtjen globale, duke u mbështetur vetëm në mekanizmat e tyre të vetërregullimit.


