Elita e artit botëror/ Helidon Xhixha zgjidhet Akademik Nderi në Firence

Date:

Share post:

Skulptorit shqiptar Helidon Xhixha i shtohet një tjetër vlerësim në rrugëtimin e tij ndërkombëtar. Artisti nga Durrësi është zgjedhur Akademik Nderi i Akademisë së Arteve të Vizatimit të Firences (Accademia delle Arti del Disegno), një prej institucioneve historike të artit italian, me një traditë që nis në shekullin XVI.

Lajmi konfirmohet përmes një shkrese zyrtare të datës 28 shtator 2026, ndërsa artisti e ka ndarë lajmin e mirë edhe në instagram. Në letrën drejtuar artistit, presidentja e Akademisë, prof. Cristina Acidini, i komunikon vendimin e Kolegjit të Profesorëve, i cili, në mbledhjen plenare të 22 shtatorit, e ka zgjedhur Xhixhën për këtë titull nderi.

Dokumenti zyrtar e fton gjithashtu skulptorin të konfirmojë me shkrim pranimin e emërimit dhe e njofton për ceremoninë ku do t’u prezantohet anëtarëve të tjerë të Akademisë.

Ceremonia do të mbahet më 18 tetor, në Palazzo dell’Arte dei Beccai, në Firence, në kuadër të hapjes së vitit të ri akademik. Programi parashikon shpalljen e akademikëve të rinj dhe ceremoninë e kalimit të detyrave akademike. Aktivitetet lidhen me festën e Shën Lukës Ungjilltar, mbrojtësit të arteve, një datë me domethënie të veçantë për traditën artistike të qytetit.

Xhixha, artisti që e kthen dritën në material

Përtej rëndësisë institucionale të këtij vlerësimi, emri i Helidon Xhixhës lidhet me një gjuhë artistike të dallueshme në skulpturën bashkëkohore. I lindur në Durrës dhe i formuar artistikisht në Itali, ai ka ndërtuar krijimtarinë e tij rreth marrëdhënies mes çelikut të pandryshkshëm, dritës dhe hapësirës.

Në veprat e tij, metali nuk shërben vetëm si material ndërtues i formës. Sipërfaqet reflektuese kapin dhe shpërndajnë dritën, pasqyrojnë mjedisin përreth dhe ndryshojnë në varësi të këndvështrimit të shikuesit. Kështu, skulptura bëhet një përvojë dinamike, që ndërthur objektin artistik me hapësirën ku ai vendoset.

Kjo qasje e ka orientuar Xhixhën drejt veprave monumentale dhe instalacioneve që ndërveprojnë me arkitekturën dhe mjedisin publik. Krijimet e tij nuk kërkojnë vetëm të shihen, por edhe të përjetohen nga kënde të ndryshme, duke e bërë dritën një pjesë aktive të kompozimit artistik.

Për një artist shqiptar që ka ndërtuar karrierën e tij në skenën ndërkombëtare, zgjedhja si Akademik Nderi në Firence, kryeqendrën botërore të arteve figurative, përfaqëson një tjetër pikë takimi me historinë e artit evropian. Akademia e Arteve të Vizatimit u themelua në vitin 1563, me nxitjen e Cosimo I de’ Medici dhe me përfshirjen e Giorgio Vasari-t, në një periudhë kur Firence ishte një nga qendrat kryesore të zhvillimit artistik në Evropë.

Në këtë traditë, ku arti është trajtuar si krijimtari, dije dhe kërkim estetik, emërimi i Xhixhës krijon një lidhje mes trashëgimisë historike dhe shprehjes bashkëkohore.

Për Durrësin, qytetin ku ka lindur skulptori, ky vlerësim kthehet në krenari. Artisti Xhixha e ka shtrirë krijimtarinë përtej kufijve kombëtarë, duke ndërtuar një identitet të vetin nëpërmjet formës, metalit dhe dritës.

Durrësi, qyteti i tij, pret një vepër të artistit Helidon Xhixha, që t’i shtohet hapësirave publike të tij, me të cilën qytetarët dhe qyteti të krenohen vazhdimisht.
L. B.

spot_img

Artikuj të lidhur

Humb jetën 45-vjeçari Devolli nga shpërthimi i makinës në Gjirokastër, u përdor eksploziv

Ka humbur jetën gjatë transportimit drejt Tiranës 45-vjeçari Beqir Devolli, i njohur edhe si Çilo, i cili mbeti...

Shpërthen në ecje ‘Benz’-i në Gjirokastër, dy persona të plagosur rëndë

Një automjet ka shpërthyer teksa ishte në lëvizje përpara godinës së Prokurorisë së Gjirokastrës. Menjëherë pas incidentit, në vendngjarje...

Përplasje automjetesh në aksin Levan-Tepelenë, plagosen dy drejtuesit

Të paktën dy drejtues mjetesh kanë mbetur të plagosur pas një aksidenti rrugor në autostradën Levan-Tepelenë. Përplasja mes...

Armë pa leje, kapet i riu në Shijak (Video)

Arlind Isai, 32 vjeç u arrestua nga policia në Xhafzotaj të Shijakut, pasi gjatë kontrollit në banesë iu...