Artisti i njohur shqiptar nga Durrësi, Helidon Xhixha, është nderuar në Firence të Italisë me titullin “Accademico d’Onore” (Akademik Nderi) nga Accademia delle Arti del Disegno, një institucion historik i artit dhe dizajnit.
Përmes fotografive të publikuara nga ceremonia e zhvilluar më 18 tetor, Xhixha ka ndarë me ndjekësit e tij momente nga ky vlerësim, duke pozuar me diplomën dhe trofeun e marrë me këtë rast.


Ky nderim vjen në vlerësim të rrugëtimit të tij artistik dhe kontributit në artin bashkëkohor. Helidon Xhixha është i njohur ndërkombëtarisht për skulpturat monumentale prej çeliku inoks, përmes të cilave eksploron dritën, reflektimin dhe ndërveprimin e veprës me hapësirën.
Vlerësimi në Firence shënon një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e tij ndërkombëtare. Zëri Online e kishte njoftuar më herët këtë nderim, ndërsa fotografitë e publikuara nga vetë artisti sjellin pamje nga ceremonia e zhvilluar në qytetin italian, kryeqendër e artit botëror.
Elita e artit botëror/ Helidon Xhixha zgjidhet Akademik Nderi në Firence
©ZëriOnline


