Mbrëmja e së premtes ishte e veçantë për 2240 studentë të Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, të cilët mbyllën me sukses studimet dhe përgatiten për një etapë të re në jetë. Ceremonia e diplomimit u kthye në një festë plot ngjyra dhe entuziazëm për studentët, prindërit dhe pedagogët. Për herë të parë, gjatë kësaj ceremonie u prezantua himni zyrtar i universitetit.
Rektori i universitetit, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, vuri theksin mbi përmirësimin e kurrikulave, ndërkombëtarizimin dhe përfshirjen e diasporës në procesin akademik si objektiva kryesore për të ardhmen e universitetit. Po ashtu, gjatë ceremonisë, studentët ekselentë u vlerësuan veçanërisht për rezultatet e tyre të shkëlqyera.
Sfida e punësimit dhe partneritetet me bizneset
Universiteti “Aleksandër Moisiu” ka nënshkruar kontrata me rreth 200 biznese, ku studentët zhvillojnë praktikat e tyre dhe shumë prej tyre kanë mundësi të punësohen pas përfundimit të studimeve, veçanërisht ata në Fakultetin e Biznesit dhe Teknologjisë Informative. Ndërkohë, studentët e Infermierisë mbeten ndër më të kërkuarit në tregun e punës.




Pritshmëritë për vitin e ri akademik
Viti i ri akademik që nis më 7 tetor do të mirëpresë afro 18 mijë studentë në dy nivelet e studimit (bachelor dhe master). Deri tani, interesimi më i madh për regjistrimet e reja është për degët e Infermierisë, Financës, Biznesit, Punës Sociale dhe Teknologjisë së Informacionit, ndërsa degët si Historia, Filozofia dhe Gazetaria kanë tërhequr më pak interes.
Rritja e regjistrimeve këtë vit ka shënuar një trend pozitiv, me një pritshmëri për rritje prej 10% në numrin total të studentëve të rinj, krahasuar me një vit më parë.
©️zërionline


